Një parti që ka vjedhur vetëveten, nuk mund të ketë kauzë vjedhjen e zgjedhjeve të 11 majit në Shqipëri. Kështu u shpreh analisti Namir Lapardhaja, në studion e Report Tv, me një lidhje live.
Në analizën e tij, ai ngriti shqetësimin se selia blu i ngjan një të sëmuri që nuk dëshiron të shërohet dhe ka një lidership që nuk sjell shpresë për fitore, amoralitet politik, me busull të humbur dhe kaotik.
Për sa kohë lidershipi i saj nuk largohet për t’i hapur rugën të tjerëve, humbjet e tjera do jenë edhe më të rënda, pasi me Berishën, Flamur Nokën dhe Albana Vokshin, PD nuk kthehet kurrë në mazhorancë.
Lapardhaja nenvizoi se tani kauza e Berishës për farsë elektorale dhe vjedhje zgjedhjesh ka rënë, pasi rinumërimi i kutive deri tani ka treguar se demokratët kanë vjedhur njëri-tjetrin e jo vetëm kaq, por ky rinumërim nuk solli as ndryshim të rezultatit mes partive apo brenda kandidatëve.
“Fatkeqësisht ishte paralajmërim i hershëm që hapja e kutive do ekspozonte kandidatët në përplasje me njëri-tjetrin dhe do rrëzonte kauzën e PD-së për vjedhjen e zgjedhjeve. PD ndodhet në krizë të thellë të lidershipit të saj, që nuk po lejon pjesën tjetër të demokratëve ta lexojë drejt situatën, por po përpiqet dhe mundohet me të gjitha mënyrat për ta mbajtur diskursin politik pikërisht në një çështje që tashmë është e mbyllur.
Pra rezultati i zgjedhjeve në të gjitha format dhe mënyrat është i pandryshueshëm. Jo se nuk patën probleme, sepse e kemi thënë edhe herë të tjera, por fatkeqësisht në Shqipëri zgjedhjet gjithmonë kanë pasur probleme, por në këto të 11 majit, mesazhi i qytetarëve shqiptarë ka qenë i qartë në refuzimin e lidershipit të PD-së, me në krye të saj Sali Berishën.
Për sa kohë nuk do lexohet si e tillë çështja, problematikat e tjera nuk e zhbëjnë thelbin”, tha Lapardhaja në nisje të analizës së tij për situatën pas zgjedhore të opozitës dhe pretendimet e saj pas 11 majit.
Për politologun, selia blu ndodhet në paradoks, pasi rinumërimi në disa zona dhe ato që priten, tregojnë se në PD kanë vjedhur njëri-tjetrin,duke treguar edhe amoralitetin në atë formacion politik.
“PD është në paradoks me veten. Nga një anë pretendon farsën elektorale, vjedhjen e zgjedhjeve dhe s’i pranon, nga ana tjetër kandidatë të saj kërkojnë rinumërimin të votave në zona e kuti të caktuara, si rasti i djeshëm i Dibrës. Ndërkohë që po përballen edhe me atë që është fatkeqësi, por jo vetëm nuk ndryshon rezultatin e zgjedhjeve apo renditjen, por ekspozon edhe PD-në me këtë mungesë besueshmërie përballë kauzës dhe qytetarëve shqiptarë. Ajo po kthehet në bumerang.
Fakti që votat po numërohen në sytë e të gjithëve dhe siç tregoi Dibra, e më tej do hapet Durrësi e Tirana, që kanë pretendime, do t’i kthehet sigurisht në bumerang përsa i përket kauzës së vet. Një parti që ka vjedhur vetëveten, nuk mund të ketë kauzë vjedhjen e zgjedhjeve. Kandidatë që kanë vjedhur veten e tyre, nuk mund të kenë kauzë se i vodhi kundërshtari. Fakti është se këta kandidatë janë vjedhur apo kanë vjedhur kolegët e tyre”, analizoi ai.
Por çfarë sjell kjo situatë e re politike brenda kampit opozitar dhe vetë Berishës? Për Lapardhanë është e qartë, vetëm sa ekspozon lidershipin e PD-së para një amoraliteti politik.
“E vetmja gjë është se ekspozohet PD para një amoraliteti politik. Opozita është kaotike në situatën që ndodhet, sepse është shmangur nga diskursi i saj kryesor. PD është në paradoks. Një herë thotë s’i njoh zgjedhjet, një herë tjetër thotë të rinumërohet, pra është paradoks.
PD s’e ka problemin me kundërshtarin, problemi i PD-së është Sali Berisha, problemin që krijoi ai dhe ndarjen e thellë që shkaktoi para tre vitesh. PD është ekspozuar para një ekstremi, me rezultat dërmues para zgjedhjeve, më pak vota edhe se 2021 dhe e pashpresë më shumë se kurrë, deri kaotike për të ardhmen e saj.
Po përsëritet historia e para dy viteve ku opozita bllokonte gjithçka në Parlament, ku dukej se aktronte dhe më tej u ul në pazar në Parlament me Ramën për Kodin Zgjedhor dhe amnistinë e të korruptuarve”, shpjegoi Lapardhaja mendimin e tij.
Dhe sigurisht që kjo të sjell tek një ‘anije’ pa busull, që u nis për diku dhe tani ka humbur rrugën, madje jo vetëm kaq, por i ngjan edhe një të sëmuri që nuk dëshiron të shërohet.
“PD ka humbur busullën dhe shfaqet si trup i sëmurë, i cili mbi të gjitha nuk do që të shërohet. Kemi politikanë në PD sot që në 3 vite kanë humbur pozicionin e tyre kontradiktor, ku kanë dhënë deklarata të ndryshme në kohë, kanë humbur besueshmërinë. Pse t’i kërkojmë llogari qytetarit kur politikani vetë ndryshe flet në mëngjes, ndryshe në drekë e ndryshe në darkë dhe në fund bën pazar me liderin apo interesat e veta, në aspektin pragmatik kjo.
PD mund të shtronte çështjen e Kodit Zgjedhor, por nuk e bënë. E kërkuan Basha dhe Alibeaj atëhere kur Berisha nuk ishte në PD, edhe në bazë të rekmandimeve të OSBE ODIHR. Por Berisha jo vetëm nuk i kërkoi kur mori vulën e PD-së, por kërkoi mbylljen e listave, sepse vetëm me të siguronte një grup parlamentar të bindur rreth vetes”, tha politologu për ‘Sot, Live në Shqipëri’.
Por amorale nuk është vetëm partia në këtë situatë të re politike, por edhe disa nga figurat e saj të njohura. Dhe zgjidhja mbetet e qartë, nëse opozita dëshiron ndonjëherë të kthehet në qeveri: largimi i lidershipit të saj, përfshi edhe Berishën.
“Kemi sot shembullin, disa politikanë itelektualë që dikur sulmonin Berishën dhe tani që u zgjodhën deputetë thonë Berisha nuk duhet të ikë nga PD. Pra ata përjashtojnë problemin kryesor të PD-së dhe që në këtë moment çështjet e tjera janë dytësore, kur e vërteta është se Berisha dhe grupi rreth tij e kanë mbyllur ciklin në atë parti. Asnjëherë ky lloj lidershipi nuk e shndërron dot këtë forcë opozitare në një forcë qeverisëse. Për sa kohë ky lidership nuk e shndërron dot opozitën në mazhorancë, përse i duhet, kujt i duhet ky lidership?
Pse e duan demokratët sot Sali Berishën, Albana Vokshin, Flamur Nokën, e të tjerët, për çfarë u nevojiten, për çfarë u duhen?! Ky lidership nuk e sjell dot në pushtet PD-në. Çështja e shumicës së opozitarëve është e ngurtë, është e brendshme, por nuk është shumica e shqiptarëve. E morë absolute në 1992 dhe e ke sjellë në minorancë absolute në gjithë këto vite”, vijon ai.
Dhe tani është koha për të thënë boll, nëse nuk duan të marrin një tjetër dështim më të thellë se i 11 majit.
“Pra ka një kohë për të thënë stop, boll, për të thënë që është koha për t’u larguar, t’i hapet rrugë një procesi të vërtetë organizimi dhe ndryshimi dhe nëse do bëhen të gjitha këto, atëhere do shihni se rezultati i PD më 2029 do jetë spektakolar. Sepse sigurisht që qytetarët shqiptarë janë të lodhur me këtë mazhorancë që është në mandatin e katët, ka pasur shumë probleme me korrupsionin, është e lodhur, në përditshmërinë e saj sjell korrupsionin.
Por sigurisht që qytetarët shqiptarë duan garanci. Me të njëjtët fytyra e probleme, pa ndryshim rrënjësor, qytetarët e kanë të thjeshtë të vijojnë më mirë me këtë mazhorancë sesa të sjellin disa të korruptuar të tjera, që do ta fillojnë korrupsionin e tyre nga fillimi”, përfundoi Lapradhaja analizën e tij.