Pavarësisht spekulimeve të shumta për largime nga Milani, klubi kuqezi po përgatitet për disa afrime të rëndësishme në merkaton e ardhshme, me fokus të veçantë në përforcimin e mesfushës.
Përveç emrave të rinj si Riçi, Rovela dhe Nikolusi Kavilia, drejtuesit e Milanit po tregojnë interes të veçantë për mesfushorin Granit Xhaka, aktualisht pjesë e Bayer Leverkusenit. Xhaka, një lojtar shumë i vlerësuar nga drejtori sportiv Igli Tare, ka qenë një objektiv i tij edhe katër vite më parë, kur Tare tentoi ta sillte te Lazio.
Pavarësisht dëshirës së klubit, transferimi i Xhakës nuk pritet të jetë i lehtë, për shkak të vlerës së tij në treg që varion nga 15 deri në 20 milionë euro, si dhe për shkak të kontratës së tij të vlefshme deri në vitin 2028 me Leverkusenin. Sipas “Calciomercato.com”, Milani po ndjek një strategji pritjeje, duke shpresuar të kuptojë më parë planet e trajnerit të ri të Leverkusenit, Erik Ten Hag, për mesfushorin zviceran. Xhaka do të vendosë të ardhmen e tij pas bisedimeve me trajnerin holandez, dhe vetëm nëse sinjalet do të jenë pozitive, Milani do të nisë zyrtarisht përpjekjet për ta transferuar.
Ndërkohë, Igli Tare po mban nën vëzhgim edhe sulmuesin shqiptar Armando Broja. Broja ka tërhequr vëmendjen e Tares pas paraqitjes së tij të mirë në sfidën Shqipëri-Serbi. Milani mund t’i krijojë hapësirë Brojës në rast se Luka Jovic vendos të largohet nga skuadra.
Megjithatë, aktualisht situata e Brojës është në fazën e monitorimit dhe ende nuk është marrë një vendim përfundimtar nëse do të hapen negociatat me Chelsean për transferimin e tij në Milano.