Ballina Kronika Operacioni “Koordinata” në Shkodër, zbulohen dhe asgjësohen rreth 20 mijë rrënjë kanabis...

Operacioni “Koordinata” në Shkodër, zbulohen dhe asgjësohen rreth 20 mijë rrënjë kanabis në një javë

20
0

Policia e Shtetit ka intensifikuar aksionet në qarkun Shkodër, duke zbuluar dhe asgjësuar gjithsej 19,739 fidanë dhe bimë të dyshuara cannabis sativa, në kuadër të operacionit policor të koduar “Koordinata”.

Operacioni synon parandalimin dhe goditjen e kultivimit të lëndëve narkotike dhe po mbështetet në inteligjencë operative dhe kontrolle në terren.

Gjetjet më të mëdha u regjistruan në zonën e Vaut të Dejës, ku u identifikuan mbi 17 mijë bimë dhe fidanë kanabisi në njësitë administrative Shllak dhe Temal. Ndërkohë, në zonën e Shkodrës, konkretisht në Shalë, Pult, Postribë dhe Gur i Zi, u asgjësuan qindra bimë dhe fidanë, duke çuar në procedimin penal të dy zyrtarëve lokalë – kryetarit të fshatit Kir dhe një roje mjedisi – për shpërdorim detyre dhe moskallëzim krimi.

Operacioni gjithashtu ka përfshirë zona të thella të Pukës, Fushë-Arrëzit dhe Malësisë së Madhe, ku janë asgjësuar mijëra bimë të tjera të dyshuara narkotike. Sipas Policisë, aksioni do të vazhdojë, ndërsa identifikimi i autorëve të kultivimit mbetet prioritet.

Hetimet janë në zhvillim dhe strukturat ligjzbatuese janë në ndjekje të personave përgjegjës për mbjelljet e paligjshme.