Makinat nga Koreja e Jugut, në Shqipëri, po zënë një pjesë të mirë të tregut.
Ky shtet i Azisë Lindore renditet i dyti pas Italisë përsa i përket importeve të automjeteve, duke lënë pas Gjermaninë dhe Zvicrën.
“Për pjesën e çmimit është gati 20-30% më lirë se tregu i Gjermanisë, Italisë, Zvicrës, përreth Europës. Arsyeja pse janë më lirë është sepse Koreja po vazhdon të fusë makinat elektrike dhe po nxjerr nga qarkullimi makinat me naftë, me benzinë”, thotë mekaniku Kreshnik Ndreka.
Qytetarët janë të orientuar drejt çmimit ekonomik, në krahasim me makinat që vijnë nga Europa. Të vetmet ndërhyrje që bëjnë janë për pjesën estetike të makinave, duke shtuar në këtë mënyrë edhe vlerën e tyre në treg.
“Mund ta marrin të 2015 dhe mund ta kthejnë nga 2015 në 2018, i vendosin bodykit, ose look-un e ri, të jashtëm dhe të brendshëm. Këto makina vijnë funksionale nga Koreja dhe janë të gatshme për të ecur në rrugë. Me këto rregullime, mund të kapin 30 deri në 35 mijë euro si vlerë. Sa është blerë në Kore? 20 mijë euro”, shton mekaniku Ndreka.
Në vitin 2024, Koreja e Jugut u bë burimi kryesor i makinave të importuara në Shqipëri për herë të parë. 18,800 automjete u regjistruan nga ky vend, duke përbërë 19% të totalit të regjistrimeve në Shqipëri për atë vit.
“Të gjitha pjesët e Koresë, Gjermanisë, këtu i marrin të gjithë në dyqane – ka plot. Blihen në dyqan, me rregull. Që është vështirë, është pak, sepse sjellin të reja, me 0 km. Pastaj, të përdorurat… për këtë punë jemi. I dimë se ku janë dyqanet, dimë se çfarë shitet”, thotë më tej Ndreka.
Nga rreth 870 milionë lekë importe të automjeteve në vitin 2018, viti i kaluar shënoi një rritje të fortë, duke arritur në 8.5 miliardë lekë – një rritje gati 10-fish në harkun e pesë viteve. Vetëm në vitin 2024, u regjistruan rreth 99,440 makina, me një rritje prej 25% krahasuar me vitin 2023 – dhe 1 në 5 makina vinte nga Koreja e Jugut.