Ballina Europë Po ndiqte grabitësit, polici italian humb jetën në ditën e fundit të...

Po ndiqte grabitësit, polici italian humb jetën në ditën e fundit të punës

20
0

Një ngjarje tragjike ka ndodhur sot në provincën e Brindisit, Itali, ku një polic humbi jetën gjatë ndjekjes së disa grabitësve. Viktima është Carlo Legrottaglie, 60 vjeç, efektiv i njësisë radiomobile të Francavilla Fontana, i cili ndodhej pranë daljes në pension.

Sipas raportimeve, Legrottaglie ishte në ditën e tij të fundit të punës. Ai pritej të fillonte pushimin e pensionit nga nesër, ndërsa dalja zyrtare në pension ishte planifikuar për më 1 korrik.

Polici dhe kolegët e tij ndërhynë për të ndaluar një grabitje në një pikë karburanti, por gjatë ndjekjes, makina e grabitësve u përplas me makinën e policisë. Grabitësit dolën nga automjetet dhe u ndoqën në këmbë nga dy policët. Gjatë ndjekjes, njëri nga grabitësit hapi zjarr dhe qëlloi Carlo Legrottaglie-n, duke e lënë të plagosur rëndë. Pavarësisht thirrjes për ndihmë mjekësore, ai nuk arriti të mbijetonte.

Polici tjetër që ndodhej në patrullë shpëtoi pa lëndime dhe dha menjëherë alarmin. Forcat e rendit kanë rrethuar zonën dhe po kërkojnë autorët e ngjarjes me ndihmën e helikopterëve.

Carlo Legrottaglie jetonte në Ostuni me bashkëshorten dhe dy vajzat. Kryetari i Bashkisë së Francavilla Fontana, Antonello Denuzzo, konfirmoi se sot ishte dita e fundit e shërbimit të Legrottaglie-s, duke e përshkruar humbjen e tij si një tronditje të madhe për komunitetin.