Ballina Kosovë Qeveria e Kosovës merr vendim: Emigrantët që do të sillen në Kosovë...

Qeveria e Kosovës merr vendim: Emigrantët që do të sillen në Kosovë do paguhen 120 euro në muaj

12
0

Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar një vendim për të realizuar kërkesën e presidentit amerikan Donald Trump lidhur me pranimin dhe strehimin e përkohshëm të qytetarëve nga vende të treta në territorin e Kosovës. Sipas vendimit të publikuar nga ekzekutivi, këta persona do të qëndrojnë në përputhje me ligjet aktuale të Kosovës dhe do të gëzojnë të gjitha të drejtat që parashihen nga legjislacioni.

Bëhet fjalë për 50 persona, të cilët do të mbështeten financiarisht nga shteti i Kosovës me nga 120 euro në muaj. Lidhur me këtë çështje dhe periudhën e ardhjes së tyre në Kosovë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është pyetur nga gazetarët. “Duhet të kuptoni se ekipet tona ligjore po punojnë ngushtë me partnerët amerikanë për të përpunuar detajet. Përgjigjet teknike në këtë drejtim mund t’i merrni në Ministrinë e Punëve të Brendshme”, është shprehur Kurti.

Megjithatë, kjo ministri nuk ka ofruar sqarime të mëtejshme për televizionin Dukagjini rreth vendimit të marrë. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, gjithashtu ka deklaruar se aktualisht nuk ka informacione shtesë që mund të bëhen publike. Nga ana tjetër, Valdet Hoxha, ish-zëvendësministër i Punëve të Brendshme, e ka cilësuar këtë veprim si të mençur dhe të dobishëm për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.

“Sipas mendimit tim, ky është një vendim i arsyeshëm dhe me rëndësi strategjike për Qeverinë e Kosovës. Kështu kemi arritur të forcojmë lidhjet me SHBA-në dhe kemi marrë mbështetje nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Të jesh i vlerësuar si partner i besueshëm nga SHBA-ja është përfitimi kryesor”, ka deklaruar ai.

Sipas vendimit qeveritar, përzgjedhja e personave do të bëhet nga një listë e propozuar, duke u bazuar në kriteret që lidhen me respektimin e rendit publik dhe sundimin e ligjit.

Që nga fillimi i mandatit të Presidentit Trump, administrata e tij ka shqyrtuar mundësinë që individët pa dokumentacion të rregullt dhe me çështje ligjore në SHBA të zhvendosen në vende të tjera.