Sonda hapësinore Solar Orbiter, një bashkëpunim ndërmjet Agjencisë Europiane të Hapësirës (ESA) dhe NASA-s, ka kapur për herë të parë në histori pamje të poleve të Diellit. Këto pamje të rëndësishme u publikuan më 11 qershor dhe janë marrë në muajin mars, gjatë periudhës së aktivitetit maksimal diellor, nga një distancë prej rreth 65 milionë kilometrash. Aktualisht, po dërgohen edhe pamjet e polit verior drejt Tokës.
Që nga fillimi i vëzhgimeve hapësinore, Dielli është parë gjithmonë nga i njëjti kënd – nga ekliptika, plani ku ndodhen Toka dhe shumica e planetëve të sistemit diellor. Por Solar Orbiter ka realizuar një manovër fluturimi pranë planetit Venus në shkurt, duke dalë nga ky plan dhe duke arritur të shohë Diellin nga 17 gradë poshtë ekuatorit të tij. Në të ardhmen, këto kënde vrojtimi pritet të kalojnë mbi 30 gradë, duke mundësuar pamje edhe më të qarta të poleve.
Qëllimi i misionit është të kuptojë më thellë fushën magnetike të Diellit, ciklin 11-vjeçar të aktivitetit të tij dhe erën diellore, një rrjedhë e vazhdueshme grimcash të ngarkuara që vjen nga shtresa e jashtme atmosferike e Diellit dhe mbush hapësirën ndërplanetare.
Dielli është një top gazi i ngarkuar elektrikisht, me një diametër prej rreth 1,4 milionë kilometrash, mbi 100 herë më i gjerë se Toka. Çdo 11 vjet, fusha e tij magnetike përmbyset, duke ndikuar në shfaqjen e njollave diellore, zona më të ftohta që duken si njolla të errëta në sipërfaqe. Numri i tyre rritet gjatë ciklit, përpara se të rifillojë nga e para.
Dielli ndodhet rreth 149 milionë kilometra larg Tokës dhe është burimi kryesor i energjisë për jetën në planetin tonë.