Ballina Ekonomia Skandal me tokën e ish rafinerisë së Cërrikut/ Alb Building u favorizua...

Skandal me tokën e ish rafinerisë së Cërrikut/ Alb Building u favorizua në ankand duke shkelur ligjin

19
0

Një skandal që prek kufijtë e një vepre penale po shoqëron procedurën e shitjes së tokës së Uzinës në Cërrik, një pasuri publike që për vite është përdorur si territor pa ligj, së pari nga një koncesion i dështuar dhe më pas nga një procedurë ankandi tërësisht e kontestuar.

Siç konstatoi Skyweb.al nga dokumentacioni i shfletuar, Komisioni i Prokurimit Publik ka ndërhyrë sëfundmi dhe ka konstatuar shkelje serioze në mënyrën sesi Komisioni i Vlerësimit të Ofertave i “Petrol Alba” ka administruar ankandin, duke e konsideruar procesin të pavlefshëm dhe duke rikthyer gjithçka në pikën zero.

Shpallja e ankandit

Në tetor 2024, “Petrol Alba” sh.a. (në likuidim) nxori për shitje truallin e ish-rafinerisë me një vlerë fillestare prej 31.2 milionë lekësh. Në garë morën pjesë katër ofertues: dy kompani, “Alb Building” dhe “DEHA 2010”, dhe dy individë, Gerti Shanaj dhe Antion Dollani.

Pas hapjes së ofertave, “Petrol Alba” skualifikoi dy individët dhe shpalli fituese kompaninë “Alb Building”, që ofroi rreth 35 milionë lekë, ndjekur nga DEHA me rreth 34.5 milionë.

Por shkëndijat e manipulimit filluan të shfaqen menjëherë.

Gerti Shanaj ankimoi vendimin, duke e konsideruar procesin të manipuluar, kriteret të padrejta dhe Komisionin e Vlerësimit të Ofertave të përfshirë në paracaktimin e fituesit. Sipas tij, skualifikimi ishte i pabazuar dhe kishte për qëllim eliminimin e garës reale.

Përballë akuzave, “Petrol Alba” këmbënguli se procedura ishte ligjore dhe e zbatuar në përputhje me rregullat.

KPP ndërhyn dhe shemb gjithë procesin: Petrol Alba kapet me shkelje

Ankesa e Shanajt përfundoi në Komisionin e Prokurimit Publik, i cili konstatoi shkelje të rënda procedurale dhe veprime të paligjshme nga autoriteti shitës. Në një vendim të formuluar me gjuhë juridike të prerë, KPP e cilëson shpalljen e fituesit një akt administrativ absolutisht të pavlefshëm, që nuk sjell asnjë pasojë juridike dhe duhet konsideruar si i papranuar kurrë nga ligji, raporton Skyëeb.al.

Në vendimin e tij të datës 10 qershor 2025, KPP anulon shkresat e shpalljes së fituesit, të protokolluara nga “Petrol Alba” më 20.03.2025 dhe kërkoi nisjen e hetimit administrativ nga Agjencia e Prokurimit Publik për shkeljet e konstatuara.

Fituesja e shpallur nga Petrol Alba dhe e skualifikuar nga vendimi i KPP, “Alb Building”, është një kompani e lidhur ngushtë me tenderët publikë përmes kontakteve me personazhe pranë pushtetit.

Në vitet e fundit, ajo ka përfituar mbi 70 milionë euro nga fondet shtetërore, ndërsa është ndëshkuar edhe për shkelje të ligjit për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit. Kompania është ndërtuesja e mbikalimit pranë TEG-ut në Tiranë, i cili u përmbyt pas reshjeve të para dhe solli pasoja të rënda në qarkullimin urban.

Rafineria e naftës në Cërrik, një histori zhvatjeje turqish dhe shqiptarësh

Ish-rafineria e naftës në Cërrik, e ndërtuar me ndihmën sovjetike në vitet ’50 dhe funksionale deri në fund të viteve ’80, iu dha me koncesion kompanisë turke Kurum nga qeveria Berisha në korrik 2013, vetëm pak ditë para largimit nga pushteti. Kontrata parashikonte rivënien në punë të rafinerisë përmes një investimi prej 48 milionë eurosh. Por asnjë investim nuk u bë.

Përkundrazi, vetëm një muaj pas marrjes në dorëzim, Kurum krijoi kompaninë “Albanian Oil Rafinery”, e cila në tetor 2013 nisi çmontimin dhe shitjen për skrap të rafinerisë.

Sipas një raporti të KLSH-së, shkrirja e rafinerisë u bë në mënyrë të paligjshme, pa miratimin e Ministrisë së Energjisë dhe në konflikt të hapur interesi, pasi skrapi u shit nga kompania bijë te kompania mëmë, të dyja nën kontrollin e Kurum. Sot, Ministria kërkon 1.5 milionë euro si dëmshpërblim dhe çështja nuk është mbyllur ende.

Historia fillimisht e zhvatjes dhe tani e ankandit të rafinerisë së Cërrikut përmbledh gjithçka që mund të shkojë keq në një shtet: një koncesion i dështuar, mungesë përgjegjësie, çmontim pa leje i pasurisë shtetërore, përdorim i platformave procedurale për përjashtim të ofertuesve realë dhe përpjekje për të kaluar qetësisht një pasuri strategjike nga duart e shtetit te një klient i buxhetit publik./ Skyweb.al