Nga Sidi Hasanaj
Sot ka ditëlindjen Lulzim Basha!
Dhe menjëherë më vjen ndër mend një skenë groteske nga viti 2021: një tortë ditëlindjeje që i çohet në zyrë, e shoqëruar me një paradë servilizmi politik nën “dirigjimin” e Sali Berishës. Deputetë si Flamur Noka, Albana Vokshi, Tritan Shehu, Këlliçi, Balliu e të tjerë shtyheshin mes njëri-tjetrit për të treguar kush ishte më i zellshmi në adhurim dhe servilizëm. Një skenë që të mbyt me helmin e hipokrizisë, një teatër neveritës i pafytyrësisë që emëton pa asnjë skrupull.
Sot, në 2025, Lulzim Basha nuk ka më pushtet. Dhe asnjë nga ata që dikur i bënin fresk nuk gjendet më pranë tij. Me largimin e tyre, është zhdukur edhe helmi i meskinitetit dhe kalkulimit politik.
Por aty ku mungojnë shushunjat e interesit, mbetet pastërtia e qëllimit.
Zbrastia që lanë pas, i ka dhënë vendin miqësisë së vërtetë dhe respektit pa interes.
Sot e uroj Lulzim Bashën nga zemra, siç e urojnë shumë prej atyre që kanë qenë krah tij në beteja të vështira — edhe pse shumë prej tyre janë konsumuar, goditur dhe sakrifikuar për të qëndruar përkrah tij.
Raporti me të nuk është ndërtuar mbi interes, frikë apo shantazh, por mbi një vlerësim të ndershëm për njeriun që është.
Sot, me kokën lart, uroj mikun tim për ditëlindjen e tij!
Jeta është shumë e vyer për t’u ndërtuar mbi servilizëm apo interes. Ajo meriton miq që i duam për atë që janë — jo për pushtetin, as për materializmin — por për ato cilësi që nuk blihen as me floririn e gjithë botës:
Për zemrën e bardhë, shpirtin e çiltër, përkrahjen e heshtur dhe vlerësimin njerëzor që dinë të japin.
Lulzim Basha është mishërim i këtij njeriu.
Më mirë jashtë çdo poshtërimi, pazari apo pazari të errët, por pranë njerëzve të mirë dhe mirënjohës, sesa të shesësh dinjitetin për një copë interes.
Ata që sot bërtasin me histerizëm dhe ligësi kundër tij, që e etiketojnë me njëmijë të pavërteta, nuk mund të na kompleksojnë asnjëherë në bindjen tonë.
Sepse njerëzit e lirë kanë kurajën të thonë të vërtetën e heshtur përballë zhurmës së gënjeshtrave dhe talljeve të një shumice amorale.
Edhe 100 vjeç, miku im!
Kurrë nuk do të jesh vetëm — as në vetminë e turmave hipokrite, as në qetësinë e atyre që të duan sinqerisht. Kjo është një fitore që nuk ta jep as pushteti, as paraja , por karakteri dhe njeriu që ke brenda vetes.