Kupës së Botës për Klube në SHBA i kanoset një tjetër sfidë, këtë herë jashtë fushës. Protestat në rritje kundër politikave të imigracionit dhe Zyrës së Imigracionit dhe Doganave (ICE) po ndezin shqetësime të mëdha në prag të turneut, që nis pas dy ditësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Demonstratat janë përhapur në dhjetëra qytete amerikane, përfshirë New Yorkun, Çikagon dhe shtetin e Teksasit, ku është aktivizuar edhe Garda Kombëtare, duke ngritur pikëpyetje mbi sigurinë dhe mbarëvajtjen e evenimentit më të rëndësishëm të verës në futbollin ndërkombëtar të klubeve.
Tensioni më i madh është përqendruar në Los Anxhelos, ku ndodhet “Rose Bowl Stadium”, një prej impianteve kryesore të turneut, ku brenda dhjetë ditësh janë planifikuar të zhvillohen gjashtë ndeshje. Organizatorët janë të vetëdijshëm për situatën dhe po bashkëpunojnë me autoritetet lokale për të garantuar sigurinë e spektatorëve dhe pjesëmarrësve.
Tifozët ndërkombëtarë, të cilët kanë planifikuar udhëtimet e tyre drejt SHBA-së, tashmë janë të shqetësuar nga zhvillimet e fundit dhe ndikimi që ato mund të kenë në përvojën e tyre dhe vetë zhvillimin e ndeshjeve.
Ndërkohë, FIFA ende nuk ka dalë me një deklaratë zyrtare lidhur me situatën e krijuar, por burime pranë organizatorëve bëjnë të ditur se çdo skenar po merret në konsideratë, përfshirë rishikimin e orareve apo vendndodhjeve në rast përshkallëzimi të mëtejshëm.
Turneu do mbledhë elitën e futbollit botëror, me kampionët e kontinenteve dhe përfaqësues të ligave më të forta, çka e bën këtë ngjarje jo vetëm një festë sportive, por edhe një test serioz organizativ për SHBA-në përpara Kupës së Botës 2026.