Ballina Slider Zgjedhjet në horizont, SPAK lëshon goditjen ndaj Benet Becit (Dokumenti)

Zgjedhjet në horizont, SPAK lëshon goditjen ndaj Benet Becit (Dokumenti)

14
0

Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci është marrë zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme më 23 prill të këtij viti, pak javë para zgjedhjeve parlamentare.

Siç shihet në dokumentin e siguruar nga Dosja.al, Beci bashkë me 6 të pandehur të tjerë akuzohen  për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim.

VENDIM PËR ZGJATJEN E AFATIT TË HETIMEVE

Në Tiranë, më 23/04/2025, unë Dritan Prençi, Prokuror në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi studiova aktet e fashikullit të procedimit penal nr.196, të vitit 2024,

KONSTATOVA

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 14.10.2024 ka regjistruar procedimin penal nr.196, për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.

Me datë 23.10.2024 është regjistruar në regjistrin e njoftimit të veprave penale, emri i të pandehurve Benet Beci, Jonid Kazani, Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, Rudin Gjoni, Adela Ruko, Premtim Dauti, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258, 25 i Kodit Penal (sipas ligjit favorizues nr.23/2012).

Nga aktet e administruara ka rezultuar se “Korporata Elektroenergjitike Shqiptare” sh.a, me datë 18.12.2019, ka zhvilluar procedurën e prokurimit me objekt: “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik (Projekt Kërkimor). me nr. REF-46463-12-18-2019, me fond limit 69,500,000 (gjashtëdhjetë e nëntë milion e pesëqind mijë) lekë.

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nëpërmjet shkresës me nr.19301 prot., datë 15.10.2024, i ka kërkuar Autoritetit Kontraktor, “Korporata Elektroenergjitike Shqiptare” sh.a, një kopje e praktikës së procedurës së prokurimit me nr. REF-46463-12-18-2019, me objekt: “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik”.

2. Autoriteti Kontraktor, “Korporata Elektroenergjitike Shqiptare” sh.a, (në vijim KESH sh.a), me shkresën kthim-përgjigje me nr.5140/1 prot., datë 21.10.2024, ka përcjellë pranë Prokurorisë së e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kopjen e njësuar të praktikës së plotë të kësaj procedurë prokurimi.