Ballina Kosovë “Banjska”, dëshmon polici: Grupi që na sulmoi nga mbi 20 pozicione udhëhiqej...

“Banjska”, dëshmon polici: Grupi që na sulmoi nga mbi 20 pozicione udhëhiqej nga Radoiçiç

0
13

Në gjykimin ndaj tre të akuzuarve për sulmin në Banjskë, polici Fahri Shala deklaroi se zyrtarët policorë ishin sulmuar nga më shumë se 20 pozicione të ndryshme, me armë të lehta dhe të rënda, ndërsa sipas tij, në bazë të informacioneve të publikuara në media dhe mënyrës së organizimit të sulmit, udhëheqës i grupit ishte Milan Radoiçiqi.

Dëshmitari dhe i dëmtuari, zyrtari policor Shala, tha se nga goditjet e armëve mes policëve dhe sulmuesve nuk kishte mundur të kuptonte nëse kishte puls rreshteri Afrim Bunjaku. “E kam vendosur dorën në qafë, anën e djathtë, me shiku a ka puls rreshteri, por për shkak të gjuajtjeve, krismave, nuk kam mundur me kuptu”, deklaroi Shala, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas Shalës, paraprakisht kishin pranuar informacion se dy kamionë kishin bllokuar urën në fshatin Banjskë dhe, sapo ishin afruar për të verifikuar, kishte ndodhur një shpërthim i madh. Gjithnjë sipas tij, pas shpërthimit kishin filluar menjëherë gjuajtjet nga sulmuesit në drejtim të zyrtarëve policorë, dhe për një moment kishte pyetur kolegët se a ishin mirë. “A jeni mirë, se nuk e disha çka ka ndodhë, nuk kam marrë përgjigje, dhe diku 30 sekonda që kishim shkëmbim zjarri kam vazhdu te kamioni”, deklaroi Shala.

Tutje, ai tha se në këtë sulm kishte mbetur i lënduar rëndë rreshteri Afrim Bunjaku, dhe se në tentativë për ta futur në automjet për ta dërguar në spital, sulmuesit vazhdimisht kishin shtënë me armë. Sipas Shalës, gjuajtjet kishin ardhur nga më shumë se 20 lokacione, nga armë të lehta e deri te ato më të rënda. Ai deklaroi se, bazuar në atë që ka parë dhe dëgjuar në media, ka kuptuar se udhëheqës i grupit ishte Milan Radoiçiqi.

“Në bazë të vendit që kanë zgjedhur në fshatin Banjskë, në bazë të avancimit që kanë bërë në drejtimin tonë, mbrapa këtij grupi terrorist, me epitet tek ta, dhe që mendoj se edhe përmes mediave kemi kuptu se organizator dhe bashkëpjesëmarrës i këtij rasti ka qenë Milan Radoiçiq, ku edhe vet e ka pranu”, deklaroi Shala. Dëshminë e dha edhe zyrtari tjetër policor, Sedat Dushi, duke rrëfyer se rreshterin Bunjaku e kishin epror dhe se kishin marrë detyra dhe urdhra nga ai që lidheshin me punën.

Sipas Dushit, në natën kritike, rreth orës 2:35 apo 2:40, kishin shkuar në fshatin Banjskë pas një informacioni se dy kamionë kishin bllokuar urën. Ai shtoi se ndryshe nga herët e tjera kur kishin shkuar në atë fshat, këtë herë ishte ndriçim shumë i madh në pjesën e urës, ndërsa më tej mbizotëronte errësira. Sipas tij, sapo ishin afruar te kamionët, kishte ndodhur një shpërthim i madh. “Nga ai detonim aq i fuqishëm, më duket se jam ngritur nga toka, na ka humb ballancimi,” deklaroi Dushi.

Ai tha se kishte goditur dritat për të mos u zbuluar nga sulmuesit, pasi vendndodhja e policëve ishte shumë e ndriçuar. Dushi deklaroi se për një moment gjatë gjuajtjeve kishte vërejtur një dron, të cilin, përkundër përpjekjeve për ta goditur, nuk kishte mundur ta rrëzonte.

Sipas tij, me të kuptuar se rreshteri Bunjaku kishte humbur jetën, ishte ndjerë i tronditur dhe i thyer për një moment.

Tutje, Dushi tha se nga detonimi kishte humbur dëgjimin në shkallën prej 30 për qind, sipas mjekëve. Në fund, ai deklaroi se, edhe pse Policia e Kosovës i kishte ofruar pushim apo transferim në një stacion tjetër policor, ai kishte insistuar të rikthehej te kolegët me të cilët, siç tha, në natën kritike ishin ballafaquar me një sulm të madh.

Pas përfundimit të dëshmisë së Dushit, gjykimi u ndërpre dhe do të vazhdojë gjatë muajit korrik. Në këtë seancë, dëshmitarët Shala dhe Dushi nuk u pyetën nga të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre. Sillen në sallë të akuzuarit në rastin “Banjska”, do të dëshmojë zyrtari policor Fahri Shala

Në vazhdimin e gjykimit për rastin “Banjska” në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të premten janë sjellë në sallë të akuzuarit, ndërsa pritet të dëshmojë zyrtari policor Fahri Shala. Të enjten kanë dëshmuar police tjerë, të cilët përshkruan ngjarjet e 24 shtatorit 2023 si një sulm tipik ushtarak ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë.

Sipas dëshmive, pozicionimi i policëve kishte qenë i pafavorshëm, ndërsa forcat sulmuese kishin përgatitje të nivelit ushtarak, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Seanca vazhdon sot me dëshminë e radhës së zyrtarit policor Fahri Shala.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin e 6 dhjetorit 2024, i kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet ndaj provave, të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve të lartpëmendur kundër aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Kurse, Gjykata e Apelit më 13 mars 2025 njoftoi se ka marrë vendim, me të cilin e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilën u konfirmua aktakuza ndaj të akuzuarve në rastin “Bajska”. Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, për të cilët është veçuar procedura penale.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon 44 persona fizikë dhe një person juridik “RAD D.O.O”. Listës së të akuzuarve i prin Milan Radoiçiq.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile.

Në Bajsnkë të Zveçanit, në orët e hershme të 24 shtatorit 2023, ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku si dhe ishin plagosur dy të tjerë. Pastaj, të vrarë kishin mbetur edhe tre sulmues, kurse të tjerët ishin larguar pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Bajnskës. Milan Radoiçiq e kishte marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin terrorist. /BetimipërDrejtësi