Ballina Kronika Dhunuan rëndë shoferin e një makine pasi e ndaluan, AMP pezullon nga...

Dhunuan rëndë shoferin e një makine pasi e ndaluan, AMP pezullon nga detyra 3 efektivët e “Shqiponjave”

15
0

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka pezulluar nga detyra tre efektivë të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pas një rasti të rëndë dhune ndaj një qytetari.

Ngjarja ka ndodhur më 8 maj 2025, kur, sipas AMP-së, efektivët E.T., D.G. dhe E.N. kanë ndaluar një automjet dhe më pas kanë ushtruar dhunë fizike ndaj drejtuesit të tij, shtetasit R.Z., duke e lënë të plagosur rëndë. I dëmtuari është dërguar për trajtim në Spitalin e Traumës.

Sipas hetimeve paraprake, tre punonjësit e policisë kanë vepruar në mënyrë arbitrare, duke shkelur detyrën dhe tejkaluar kompetencat e tyre.

Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë ka urdhëruar pezullimin e tyre nga detyra, ndërsa ndaj tyre është ngritur procedim penal për veprën “Kryerja e veprimeve arbitrare, kryer në bashkëpunim”.

Njoftimi i AMP-së:

AMP pezullon 3 punonjës policie të Forcës së Posaçme Shqiponja.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka zbatuar urdhërin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për tre punonjës policie të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kryerje e veprimeve arbitrare në bashkëpunim”.

Inspektor E. T., me detyrë Trupë Shërbimi, Seksioni “Shigjeta”, në sektorin e Forcës së Posaçme Shqiponja.

Inspektor D. G., me detyrë Trupë Shërbimi, Seksioni “Shigjeta”, në sektorin e Forcës së Posaçme Shqiponja.

Inspektor E. N., me detyrë Trupë Shërbimi, Seksioni “Shigjeta”, në sektorin e Forcës së Posaçme Shqiponja.

Caktimi i masave të sigurimit personal u bë i mundur në funksion të procedimit penal të vitit 2025 në lidhje me ngjarjen e datës 08.05.2025 rreth orës 19:30, punonjësit e policisë kanë ndaluar një automjet me drejtues shtetasin R. Z., dhe me veprime arbitrare kanë kaluar në konfrontim fizik, ku për pasojë drejtuesi i automjetit është dërguar në Spitalin Universitar të Traumës për trajtim mjekësor.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën ankesa@amp.gov.al.