Ballina Kulturë Edhe pse ishe erudit e atdhetar i kulluar, pafajshëm të goditi kometa...

Edhe pse ishe erudit e atdhetar i kulluar, pafajshëm të goditi kometa ogurzezë

17
0

Nga Arif Ejupi 

Ymer Adem Llugaliu, ai djali njëzetvjeçar që i hipi krahut të ëndrrës dhe fluturoi në Krujën e Kryeheroit të Arbanisë, duke pandehur parajsën, befas ra në kthetrat e djajve të kuq, ku edhe vetë Dante do t’ia kishte zili ferrin nëpër të cilin kishte kaluar.

Edhe pse i zhytur deri në fyt në llucën e galerive të thella dhe të errëta të Spaçit, e më pas në rrëshirën katran të Ballshit, dashurinë e akumuluar në thellësitë e zemrës për Budin, Bogdanin, Bardhin, Fishtën e veçanërisht Migjenin, e ruajti pa e dridhur qerpikun nga gardianët trushpërlarë e pansllavistë.

Kur ngadhënjeu demokracia mbi diktaturën dhe shqiptarët u çliruan nga thundra e Faraonit, fuqishëm brohoriti:

“Rroftë Shqipnia natyrale!

Vdekje pushtuesve dhe tradhtarëve!”

Sytë i shkëlqyen!

Fytyra i shndriti porsi rrezet e diellit në agim!

Kraharori iu mbush me forcë dhe vullnet rinor!

Hapi iu shpengua!

Pas tridhjetë e katër vjetësh u kthye në Llap, ngjashëm me Ago Ymerin e baladave tona, ku rininë njomështake e pati lënë të ndryme. I madh e i vogël i bënë pritje madhështore.

Kur, Kosovës deshi me ia përkëdhelë shtatin dhe me i thur vargje trimërie, njëthundrakët shumadianë, me pranga në duar, e dëbuan përtej Bjeshkëve të Nemuna, ku pati hequr të zitë e ullirit.

Mirëpo, çdoherë i këndellur dhe i gatshëm me u flijua për Dardaninë dhe Flamurin me Shqiponjën dykrenore të ngritur nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Krujë, me tërë qenien u dha pas Rilindjes Demokratike.

Edhe pse e shigjetuan nga të gjitha anët paranojakët diktatorialo-proletarë, asnjëherë nuk u gjunjëzua e as nuk u zhgënjye me vetveten.

Ymer Adem Llugaliu, identik me Sokratin e vuajtur, nuk u nënshtrua, as nuk kërkoi lëmoshë nga “Derri i kënaqur” gjirokastrit, vëlla ideologjik i kuco-sllavëve Stalin e Popoviq.

Vdiq në moshën 86-vjeçare në Besianën e tij të dashur, në mbrëmjen e 13 qershorit të vitit 2022, me fjalën në gojë:

“Mirditë, hallall mundi dhe djersa ime, se edhe Ti, së bashku me mua, ishe e persekutuar dhe e burgosur!”

Me shpirt dhe dashuri të papërshkruar kontribuoi në arsimimin e shqiptarëve, andej dhe këndej Atdheut të ndarë në dysh. Andaj, përherë do të kujtohet si mësues i kombit, me lapsin pushkë dhe fjalën shpatë!