Ballina Opinion Ku ishin ministrat Balluku dhe Gonxhe dje?

Ku ishin ministrat Balluku dhe Gonxhe dje?

0
16

Nga Ilir Yzeiri 

Muaji qershor, si rrallë ndonjëherë, ka qenë i mbytur me veprimtari. Si të mos mjaftonte java e kulturës italiane, në kryeqytet erdhën edhe arkitektët më të mirë të botës. Grupe këngëtarësh, Bobby Solo, një DJ i famshëm gjerman e plot të tjera. Mirëpo asnjëra prej tyre nuk mund ta kalonte madhështinë e një veprimtarie tjetër për të cilën organizatorët po punonin prej muajsh. Luçia Nadin veneciania e famshme që i solli Shqipërisë zbulimin e mrekullueshëm të « Statuteve të Shkodrës », fakte të reja për Skënderbeun e shqiptarët në Vendik, këtë radhë, së bashku me Gjon Radovanin, Eni Frrokun, Muzeun Civici, Universitetin për Biznes e Teknologji të Kosovës dhe Akademinë e Shkencave, kishin menduar të ndërtonin në Tiranë jetën dhe veprën e një prej figurave më të mëdha të inxhinierisë hekurudhorë të shekullit XIX, Karl Gegës.

Dje, më 12 qershor u hap në Pallatin e Kongreseve Ekspozita dhe paradite u mbajt një konferencë shkencore ku diskutuan Lucia Nadin që tregoi dokumentet e reja që vërtetojnë origjinën shqiptare të Karl Gegës, pastaj Pëllumb Xhufi, i cili tregoi me fakte origjinën e mbiemrit të familjes Gega, mbështetur në dokumentet dhe regjistrat e shekullit të XVI-XVII. Marina Bressan nga Venecia paraqiti një vështrim krejtësisht të veçantë filologjiko-kulturor me titullin « Nëpër binarët  legjendarë të Karl Gegës » dhe Camilo Tonini tregoi se si kishte zbuluar trashëgiminë e Karl Gegës. Disa vjet para se të vdiste, Gega i kishte dorëzuar muzeut të Venecias arkivën e tij dhe ato dy arka të mëdha rrinin atje të pahapura derisa Camilo i shpluhurosi ato dhe fill pas kësaj nisi ideja për të ndërtuar në Shqipëri historinë e këtij gjeniu.

Ndërsa Gjon Radovani me kumtesën e tij « Karl Gega mendja gjeniale e shekullit XIX » tregoi me detaje teknike gjenialitetin e këti inxhinieri duke e krahasuar novacionin e tij në lëmin e inxhinierisë së hekurudhave me revolucionin që bëri Bill Gates në epokën digjitale. Dje pasdite u çel edhe ekspozita e cila për nga mënyra se si ishte konceptuar dhe realizuar është ndoshta më e madhja dhe më cilësorja e çelur në Tiranë. Në një pavijon ishin artefaktet e jetës dhe të veprës së Karl Gegës, certefikata, mirënjohje, diploma, skica, vizatime, piktura, fotografi. Të mos harrojmë se Gega e përdor aparatin fotografik vetëm dhjetë vjet pasi ishte shpikur fotografia. Pastaj pavijoni më origjinal ishte ai i ndërtuar në një hapësirë me projektimin tridimensional në të cilin autorët kishin riprdhuar me imazhe filmike dhe me shifra gjithë punën e bërë për hekurudhën e famshme Vienë – Trieste dhe sidomos shpikjet në për të kaluar Alpet në zonën e Semeringut. Ti aty, si në një film, ndiqje gjithë atmsoferën e punës që kishte bërë Gega- një mrekullli e magjishme. Pas asaj hyje në një sallë tjetër dhe në një vagon të improvizuar ti udhëtoje nëpër këtë hekurudhë dhe në dritaret e vagonit ishin vendosur ekrane ku parakalonin peizazhet atuentike të atyre vendeve.

Për ta parë këtë punë të magjishme të këtyre punëtorëve idealistë kishin ardhur si zakonisht vetëm një grusht njerëzish që mendojnë ende se kultura është ushqimi i parë për t’u ndier shqiptarë dhe europianë. Organizatorët kanë përgatitur edhe një katalog me ngjyra shqip- italisht ku janë vendosur gjithë dokumentet e fotot e kohës dhe parathënien e ka shkruar kryeministri Rama. Nuk e di a do të merrte pjesë zoti Rama në këtë event po të ishte në Tiranë, por si mund ta shpjegojmë mungesën   Belinda Ballukut dhe Blendi Gonxhes ? Çfarë shteti jemi ne ? Dje kishte shumë të ardhur nga Italia, profesorë, studiues. Mes të tjerëve edhe drejtori për Studime Europiane në Romë, Hermes, Giuzzeppe Tanga. Të gjithë më pyesnin se përse mungojnë ministri i kulturës dhe ai i transportit. E paimagjinueshme. Një fyerje jo vetëm për punën e atyre italianëve të devotshëm dhe shqiptarëve të përkushtuar që sakrifikuan për muaj e muaj me radhë për të ndërtuar një ekspozitë europiane moderne, por edhe për kulturën.

Çelet një ekspozitë për gigurën më të madhe europiane të hekurudhave, të transportit, dhe nuk vjen Ministrja e Transportit. Flitet për një personazh të madh të kulturës shqiptare i nderuar në Venecia, Vienë e kudo në botë dhe nuk vjen ministri i kulturës. Hajde e mos kujto vargjet e Nolit pastaj par kabinetin e një kohë të margët. Asnjëherë në këta 30 e ca vjet nuk bëmë edhe përpjekjen më të vogël për të gërmuar në arkivat e Vatikanit, Venecias, Stambollit apo të tjera vende në mënyrë që të qëmtojmë e të nxjerrim në reliev identitetin tonë europian përmes figurave që kanë lënë gjurmë ne Europën Mejetare. E vetmja që po e bën këtë është Lucia Nadin. Ajo vjen në Tiranë, ideon dhe organizon një ekspozitë madhështore dhe asnjë dinjitar i kësaj qeverie nuk denjon t’i thotë faleminderit. Çfarë emri t’i vëmë kësaj ???