Ballina Kulturë Mark Palnikaj, Bajram Curri-Origjina dhe familja ( botohet me rastin e 100...

Mark Palnikaj, Bajram Curri-Origjina dhe familja ( botohet me rastin e 100 vjetorit të vrasjes)

16
0

Nga Lush Culaj

Kohë më parë studiuesi i njohur në arealin mbarëkombëtar Mark Palnikaj na befasoj edhe një herë këndshëm me botimin edhe të një libri të ri. Redaktor i librit është gjithashtu një emër i njohur i letrave shqipe, profesori Anton Nikë Berisha.

Studiuesi Mark Palnikaj i dha vetit edhe një detyrë të vështirë të studimit të rrjedhës së familjes Curri. Për një studim sa më përmbajtësor ai ka konsultuar libra, punime, përmbledhje dokumentesh si dhe shtypin e kohës për Bajram Currin duke u filluar nga kujtimet e Niman Ferizit.

Qëllimi i studiuesit Palnikaj ishte që të mos përsëriteshin gjërat e njohura në opinion për këtë përsonalitet dhe origjinën e tij, por që të ofronte risi, gjëra të pa njohura deri më tani por mbështetur kryesisht në burime arkivore. Fokusi i Palnikajt ishte hulumtimi kronologjik i kësaj familje nga përiudha historike kur Currajt dëshmohen si pasardhës të Mark Bibës dhe të Nikajve. Deri në vitin 1775 familja ka jetuar në fshatin Curraj ku Palnikaj na jep të dhëna të rëndësishme nga relacionët e dërguara në Vatikan për Currajt me rrethinë. Ai shpreh mendimin se mbiemrin Curri familja e mori pasi u vëndosën në Gjakovë.

Historia e kësaj familje është një histori qëndrese që fillon me gjyshin e Bajram Currit, Hysen Kurtin, për të vazhduar më të atin e tij Shaqir Currin. Palnikaj thekson se vrasja e Haxhi Zekës nga Adem Zajmi, nga Bajram Curri u prit me hidhërim të madh, madje ai konkludon se Bajram Curri dhe motra e tij Nazmia, nëna e Adem Zajmit, janë distancuar publikisht nga kjo vrasje. Natyrisht që Palnikaj nuk mund ta anashkalonte edhe kontributin e Bajram Currit, Bajram Daklanit, Zefit të Vogël, Mahmut Zajmit etj. në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1912 në Kosovë. Kufijtë e Shqipërisë, të caktuar më 22 mars 1913, në Konferencën e Londrës qenë ratifikuar nga Fuqitë e Mëdha më 26 mars 1913. Pas tri javësh, më 12 prill, ambasadorët e Rusisë dhe të Austro-Hungarisë qenë pajtuar me një përshkrim të ri të këtyre kufijve, që paksa e ndryshonin atë të 22 marsit. Sikurse njerëzit e gjymtuar që ndjejnë ankth nga gjymtimi i tyre, kjo ndjenjë e ankthit u bart në shoqërinë shqiptare ku ndjehet një bezdi nga të qenit një komb i ndarë. Krijimi i shtetit shqiptar në fakt është zanafilla e lindjes së asaj që sot quhet çështje kombëtare. Qeveria e Xhafer Ypit e kishte favorizuar Bajram Currin duke i dhënë titullin e kolonelit të nderit dhe e ngarkoi me ruajtjen e kufirit dhe me mbajtjen e rendit dhe të qetësisë në cepin perëndimor shqiptar. Më vonë angazhimi i Bajram Currit në kryengritjen e marsit 1922 ndikoi sadokudo në rënien e lëvizjes çlirimtare në Kosovë. Ishte ky një synim për ta rrëzuar me forcë Qeverinë e Tiranës, por forcat kryengritëse të Bajram Currit nuk arritën dot deri në Shkodër, ku edhe e kishin objektivin. Shtypi evropian i asaj kohe shkruante se opi­nioni publik ishte i tëri kundër rrugës jokushtetuese që po ndiqte Bajram Curri dhe ai u tërhoq pa shkaktuar gjak­derdhje.

Pas ardhjes së Zogut si kryeministër në mes drejtuesve të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” u zhvilluan debate lidhur më qëndrimin që do të mbante kjo organizatë. Bajram Curri, Hasan Prishtina e disa të tjerë ishin kundër çdo lloj bashkëpunimi me Qeverinë e Zogut duke u treguar të vendosur të fillonin një kryengritje të armatosur kundër kësaj qeverie. Pjesa tjetër e nacionalistëve kosovarë si Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Beqir Vokshi etj, kërkonin arritjen e një marrëveshjeje me qeverinë, duke u deklaruar se ndërmarrja e veprimeve të armatosura kundër saj dëmtonte interesat e shtetit dhe kombit shqiptar. Bajram Curri, Hasan Prishtina, Sadik Rama, Hysni Curri etj, të pa kënaqur me pushtetin që kishte Zogu, dhe duke mos u pajtuar me qëndrimet e tij politike, të cilin e akuzonin si filoserb, organizuan në janar të vitit 1923 një goditje të re të armatosur kundër forcave qeveritare në Prefekturën e Kosovës. Ata zunë Tropojën dhe rrethuan Krumën, por edhe kjo kryengritje dështoi. Pasi u thyen nga forcat qeveritare kryengritësit kaluan në Zonën Neutrale të Junikut. Prania e tyre në kufi përbënte shqetësim për qeverinë shqiptare. Kryeministri Zogu hodhi poshtë dy propozime të qeverisë të Beogradit për një aksion të përbashkët në Zonën Neutrale të Junikut ose për lejimin e ndërhyrjes të forcave jugosllave. Qeveria e Beogradit dhe ajo e Tiranës, në fund të dhjetorit të vitit 1922 dhe në fillim të janarit të vitit 1923, i kishin kërkuar Konferencës së Ambasadorëve shqyrti­min e Zonës Neutrale. Të dy qeveritë ekzistimin e kësaj zone dhe veprimet antiqeveritare kundër tyre i konsi­deronin të dëmshme për stabilitetin e brendshëm shtetëror.

Me 13 prill 1923, qeveria miratoi kërkesat e drejtuesve të forcave ushtarake në terren për t’i sulmuar kryengritësit por udhëzoi që, nëse pranonin Bajram Curri dhe Hasan Prishtina t’u jepej leje që të dalin jashtë shtetit, kurse mbeshtetësit e tyre të çarmatoseshin. Pas edhe disa përpjekjeve të tjera për kryengritje në tetor 1923, Prokuroria i kërkoi Ministrisë së Drejtësisë zbatimin e dënimit me vdekje për Hasan Prishtinën. Diplomatët italianë ndërhynë tek kryeministri Ahmet Zogu dhe ai u dha garanci që krerët e kryengritjes të largoheshin pa probleme nga Shqipëria. Kështu më 25 tetor Bajram Curri dhe Hasan Prishtina u larguan nga Shëngjini për Brindizi të Italisë. Në fakt në këtë periudhë kohore përsonalitete të njohura të Kosovës si Bajram Curri dhe Hasan Prishtina, quheshin “prijës cubash” nga ministri fuqiplotë britanik në Beograd.

Në fakt Curri priste vetëm momentin e përshtatshëm politik për tu rikthyer në Shqipëri dhe për t’a vazhduar luftën kundër Zogut. Në prag të kryengritjes së qershorit ai ishte në Shqipëri duke e mbështetur lëvizjën e Fan Nolit. Më 24 maj Curri mori nën kontroll Krumën, e cila ishte qendra e Prefekturës së Kosovës, duke mundur forcat proqeveritare të toger Muharrem Bajraktarit dhe Ceno Bej Kryeziut. Në vijim Curri theu forcat qeveritare në Bicaj, në Bytyç dhe në Kalanë e Dodës. Edhe Noli mori masa kundër nacionalizmit shqiptar. E shkarkoi nga çdo funksion edhe Bajram Currin, i cili, siç mund të thuhet, e solli në pushtet Fan Nolin. Noli kërkoi nga Komiteti i Kosovës që ata të qëndrojnë mirë, sepse një shtet i vogël si i yni, i dobët dhe i varfër nuk mund t’ia lejojë vetes një konflikt. Noli gjithashtu kërkoi nga Qeveria e Beogradit që t’i trajtonin mirë shqiptarët në Mbretërinë S.K.S.

Kronika për ngjarje nga familja Curri nga Albion Curri e plotëson një mozaik të këtij libri të përgatitur me kujdes nga studiuesi Palnikaj. Përveç trajtimit kronologjik Palnikaj, përqëndrohet në dy segmente kryesore, në vrasjën e Bajram Currit dhe në kultin që ngriti regjimi në Shqipëri. Natyrisht që një kult i tillë nga Shqipëria u bart në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare në ish Jugosllavi.

Vrasjen dhe jo vetëvrasjën e Currit, studiuesi Palnikaj e mbështet edhe në dëshminë e Shefqet Dragës, bashkëluftëtar i Bajram Currit i cili kishte dhënë deklaratë se pas një beteje të ashpër ku Curri rezistoi me armë, ai u vra. Gjithashtu kishte dëshmuar se pas vrasjes së Currit, ai për të shpëtuar jetën u dorëzua tek nëntoger Kadri Mehmeti si udhëheqës i sulmit. Vlen për tu theksuar se në atë periudhë detyrën e ministrit të punëve të brendshme në Tiranë e kryente Hasan beg Kryeziu.

Palnikaj jep mëndimin se pse u quajt vetëvrasje e jo vrasje. Sipas tij kjo i shërbente regjimit të Zogut për mos shkaktimin e tensioneve dhe stabilizimin e tij vetëm tre muaj pas rikthimit në Tiranë dhe rimarrjes së pushtetit.

Edhe për ngritjën e kultit të Bajram Currit, studiuesi Palnikaj konkludon më të drejtë se shteti komunist ka paguar njerëz për të shkruar libra që i konvenonin sistemit. Ç’do gjë që ishte kundër Zogut përpiqëj të paraqitej si demokratike e progresive. Madje edhe kryengritjën filoturke të Haxhi Qamilit të vitit 1914 e cila kërkonte rikthimin e babës (Sulltanit) u quajt levizje popullore revolucionare. Kështu ndodhi edhe më Bajram Currin që sipas Palnikajt regjimi e shpalli Hero i popullit dhe i dha qytetit Kolgecajt emrin e Bajram Currit.

Studiuesi Palnikaj shpjegon edhe për shumë të diskutuarën letrën e Bajram Currit për Leninin. Këtë letër Marku e quan sajesë të disa pushtetarëve komunist të Tropojës. Zatën kjo legjendë i shërbente regjimit komunist në Shqipëri. Pra ndonëse nuk ishte e vërtetë, e publikuan në gazeta, radio dhe televizion për ta lidhur Bajram Currin me komunistët. Në fakt dokumentacioni sipas Palnikajt dëshmon se nga Vjena iu shkrua një letër qeverisë ruse pa u përmendur emri i Leninit, shkruar nga sekretarët e tij në gjuhën frengjisht dhe të firmosur me gisht nga Bajram Curri.

Meritë e punës së paloshme të studiuesit Palnikaj ishte se mbështetur në dokumentacionin më të ri arkivor na e dëshmon një vit tjetër të lindjës së Bajram Currit, pra jo vitin 1862 siç e kemi mësuar deri tani por vitin 1866. Kjo na ofron tani dëshmi se Bajram Curri kur u vra nuk ishte në moshë të pleqërisë por kishte 59 vjet. Arsyet e armiqësisë ekstreme të Bajram Currit ndaj qeverisë të Zogut ishin komplekse. Këtu ndikonte edhe armiqësia përsonale me Ahmet Zogun si dhe qëndrimi i moderuar i qeverisë ndaj Kosovës. Bajram Curri nuk luftonte për pushtetin e tij përsonal, por për idealin e tij, për Kosovën. Vlen për tu theksuar se Curri nuk e kuptonte mënyrën e funksionimit të një shteti modern dhe nuk arrinte ta ndante opozitarizmin nga armiqësia ekstreme politike e personale.

Për studiuesin Palnikaj, hulumtimi dhe studimi i personalitetit të Bajram Currit nuk mund të ishte i plotë pa shtjellimin e rrethanave shoqëroro-politike paraprake.

Për rrethanat politiko-shoqërore që ndërlidhen në një formë apo tjetër me veprimtarinë e Bajram Currit autori ka shfrytë­zu­ar dokumente arkivore të cilat japin shpesh herë informacione për rrethanat. Ato u bënë material bazë për t’i ndriçuar aspektet kryesore të qëndrimeve të shtetit shqiptar ndaj çështjes kombëtare.

Mendoj se libri “ Bajram Curri-Origjina dhe familja”, përgatitur me kujdes nga Mark Palnikaj, është me interes si për lexuesin e rëndomtë, për një publik më të gjerë, ashtu edhe për studiuesit e historisë dhe në mënyrë të veçantë për ata që janë të interesuar për zhvillimet e asokohshme politiko-shoqërore të përpjekjeve në rrafshin kombëtar.

Leximi i librit na nxit të konstatojmëë që autori, me këtë vepër, ka bërë një punë të vlefshme studimore në historiografinë shqiptare.