Ballina Sport Fillon Kupa e Botës së Klubeve/ Një muaj futbolli historik me sfida...

Fillon Kupa e Botës së Klubeve/ Një muaj futbolli historik me sfida dhe pikëpyetje

0
9

Sonte nis një muaj futbolli i pazakontë me Kupën e Botës së Klubeve të FIFA-s, një turne historik që pritet të ndryshojë skenën e futbollit ndërkombëtar. Ky event, i pari i këtij formati, do të mbledhë klube nga të gjitha kontinentet dhe ofron një çmim rekord prej një miliard dollarësh, më shumë se dyfishi i shpërblimeve të Kupës së Botës në Katar.

Megjithatë, turneu është i rrethuar nga shumë pikëpyetje. Yjet kryesorë të futbollit europian raportojnë lodhje të madhe fizike, ndërsa interesimi në vendin pritës duket i vakët, me pritshmëri që stadiumet në fazën fillestare të jenë gjysmë bosh.

Në këtë kompeticion pritet një përplasje e stileve të ndryshme mes ekipeve nga Europa, Amerika e Jugut, Amerika e Veriut dhe Lindja e Mesme. Favoritët kryesorë janë skuadrat evropiane si Manchester City, Real Madrid, PSG dhe Bayern Mynih, ndërsa ekipet nga Amerika e Jugut, si River Plate dhe Palmeiras, synojnë të surprizojnë me talentet e tyre të rinj dhe me lojë të freskët e intensive.

Një tjetër moment historik i turneut është debutimi i Lionel Messit me Inter Miami në një garë të madhe ndërkombëtare. Ndeshja hapëse do të jetë Inter Miami kundër Al Ahly të Egjiptit, e cila do të luhet në orën 02:00 të mëngjesit të së dielës.

FIFA ka premtuar një spektakël të vërtetë me risi teknologjike si kamerat e vendosura në trupin e gjyqtarëve dhe me një përfaqësim të gjerë global – 81 kombe, nga të cilat 22 marrin pjesë për herë të parë në këtë garë.

Megjithëse çmimet janë të mëdha, turneu vjen me sfida serioze: lodhja e futbollistëve, skepticizmi për rëndësinë e tij dhe presioni i lartë financiar për klubet evropiane, ndërkohë që ekipet e vendeve më pak të zhvilluara përballen me hendek të madh ekonomik dhe përvojë më të vogël në nivele të tilla konkurrimi.