Ballina Ekonomia Gjigandi gjerman i supermarketeve LIDL do të investojë 105 milionë euro në...

Gjigandi gjerman i supermarketeve LIDL do të investojë 105 milionë euro në Shqipëri

0
18

Gjigandi gjerman i supermarketeve, Lidl, do të investojë 105 milionë euro në Shqipëri për ndërtimin e një qendre qendre logjistike, e cila do të shërbejë si objekt kryesor për magazinimin e produkteve me shumicë.

Projekti madhor do të zhvillohet në një sipërfaqe prej 200 mijë metrash katrorë, në zonën e portit të ri, që do të ndërtohet në Porto Romano.

Investimi ka marrë statusin strategjik nga qeveria shqiptare, e cila ka vendosur që t’i vendosë kompanisë gjermane në dispozicion të gjithë tokën e kërkuar.

“Në përputhje me legjislacionin për investimet strategjike miratohet në parim masa mbështetëse vënie në dispozicion të sipërfaqes prej 20 ha për zhvillimin dhe realizimin e këtij projekti investimi strategjik me destinacion zhvillimin e projektit,” thuhet në vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike.

Sipas vendimi, kjo tokë e cila është në pronësi të Autoritetit Portual do t’i jepet kompanisë gjermane me qira afatgjatë.

“Në çdo rast kontrata e qirasë për vënie në dispozicion të projektit të investimit të pasurisë së paluajtshme në pronësi të Autoritetit Portual Durrës, do të negociohet dhe nënshkruhet po nga autoriteti zhvillues APD sipas legjislacionit në fuqi,” thuhet në vendim.

Investimi

Projekti i investimit parashikon ndërtimin e një qendre logjistike e cila do të shërbejë si objekt kryesor për magazinimin e produkteve me shumicë. Produktet e magazinuara synojnë të furnizojnë si tregun shqiptar, duke lehtësuar grumbullimin, mirëmbajtjen dhe shpërndarjen e produkteve vendase, ashtu si dhe promovimin dhe eksportin e jashtëm të këtyre produkteve.

Lidl synon gjithashtu të operojë në tregun shqiptar duke krijuar operacione të shitjes me pakicë përmes një rrjeti të gjerë supermarketesh.

Sipas vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike, projekti i investimit i plotëson kriteret e punësimit të kërkuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikon të punësojë rreth 2500 persona.

Kompania propozuese e këtij investimi, “LIDL SHQIPËRIA” SHPK është pjesë e kompanive të rrjetit ndërkombëtar gjerman Schëarz Group, i cili është një lider ndërkombëtar në industrinë e shitjes me pakicë, i pozicionuar në 31 shtete.