Ballina Aktualitet Gjykata kërkon sigurimin e jetës për Dashnor Dumanin nga Drejtoria e...

Gjykata kërkon sigurimin e jetës për Dashnor Dumanin nga Drejtoria e Burgjeve

10
0

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka urdhëruar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe zyrtarët përgjegjës të institucioneve të vuajtjes së dënimit që të marrin masa të menjëhershme për sigurinë e jetës dhe shëndetit të të paraburgosurit Dashnor Dumani.

Ky vendim vjen në kushtet e një rreziku të shtuar që lidhet me lidhjet familjare të të hetuarit Dashnor Dumani është vëllai i Nuredin Dumanit, i penduar i drejtësisë, dëshmitë e të cilit kanë tronditur themelet e botës së krimit të organizuar në Shqipëri.

“Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe zyrtarët përkatës të IEVP, të marrin masa për sigurinë e jetës dhe të shëndetit të personit nën hetim, Dashnor A. Dumani, patur parasysh situatën e tij familjare në të cilën gjendet.”

Dashnor Dumani, 40 vjeç, u ekstradua nga Dubai së bashku me Armes Stafën, i kërkuar për pastrim parash dhe i konsideruar pjesë e grupit famëkeq të Çopjave në Elbasan. Ai ishte në kërkim prej më shumë se një viti, pasi ndaj tij ishin vendosur masa në mungesë për vrasje dhe vjedhje në kuadër të një organizate kriminale.

Sipas hetimeve të SPAK, Dashnor Dumani dyshohet se ka marrë pjesë si ekzekutor në masakrën e trefishtë në Bradashesh, në vitin 2018, ku ndër viktimat ishte edhe vëllai i Erjon Alibej, një tjetër i penduar i drejtësisë. Nuredin Dumani ka mohuar përfshirjen e vëllait të tij në këtë vrasje, ndërsa ka pranuar se është rekrutuar nga vetë Alibej si vrasës me pagesë, për të eliminuar kundërshtarët e tij, ku objektivi kryesor ishte Talo Çela.

Rreziku për hakmarrje dhe heshtje të mundshme është i pranishëm, ndërsa autoritetet janë vënë në lëvizje për të garantuar sigurinë fizike të Dashnor Dumanit, në një periudhë kur deponimet e të penduarve po çojnë drejt zbërthimit të një prej rrjeteve më të rrezikshme të krimit të organizuar në vend.