Nga Kastriot Dervishi
Në pranverën e vitit 1968, Reparti nr. 303, pasi kishte “shëtitur” duke ndërtuar veprat më të mëdha të socializmit, u ndal në stacionin e fundit të tij, në Spaç. Qëllimi i vendosjes këtu ishte nxjerrja e mineralit në Spaç, si dhe përpunimi i tij në Reps, një vend ku ishte ndërtuar Fabrika e Pasurimit të Bakrit. Më 28 prill 1968, u bë zhvendosja e fundit e të dënuarve, nga Elbasani në Spaç të Mirditës. Ish-i dënuari, Kristo Mema, tregon se data e mbërritjes së tij në atë kamp, është 20 prilli i vitit 1968. Ish-komandanti kampit të Spaçit, Haxhi Gora, shkruan në një letër të datës 18.9.1980, se zhvendosja e të dënuarve ka vijuar përgjatë gjithë muajit prill. Nisur nga dëshmia e Robert Vullkanit, një nga të dënuarit e parë që ka shkuar në atë kamp, rezulton se të burgosurit kanë mbërritur në tre grupe në Spaç.
Tanush Kaso, ishte njëri prej personave që u zhvendos nga Elbasani në Spaç. Të dënuarit kanë qenë ata që janë vendosur në shtatë baraka të mëdha llamarine e dërrase, mbuluar me material katrama. Në një barangë rrinin gati 100 të dënuar. Disa nga të burgosurit e asaj kohe, kanë qenë: Ali Hoxha (muzikant), Osman Kazazi, Haki Slatina, Astrit Delvina, Robert Vullkani, Ernest Troshani, Vangjel Lezho etj.. Më vonë erdhën të dënuar të tjerë, si At Zef Pllumi, etj.. Komanda ishte vendosur jashtë rrethimit të kampit.
Sapo të burgosurit mbërritën aty, filloi një protestë, pasi nuk donin të punonin në minierë. Nga kjo, i burgosuri Dilaver Radëshi (ish-ushtarak me gradën e kolonelit), bëri një grevë të gjatë urie, të cilën e ndërpreu vetëm nga ardhja e nënës së tij në burg. Në Spaç nxirrej pirit dhe bakër. Miniera ishte tejet primitive, e pajisur vetëm me ndonjë armaturë druri. Uji ishte jo i pijshëm, nga ndotja me mineralet e shumta që nxirrte toka e Spaçit. Prej ujit të keq, shumë të dënuar ngelën shpejt pa dhëmbë në gojë.
Sipas skemës së sigurimit të repartit, Spaçi ishte një kamp i rrethuar në një terren të vështirë. Për sigurimin e repartit ishin të angazhuara katër toga ushtarake, të cilat bënin shërbim 24 orësh në 30 vendroje, (karakolle) me ushtarë të armatosur me armë automatike dhe mitrolozë të lehtë. Nxirrej mineral në katër zona të tilla. I dënuari në Spaç, kishte këto sende personale që ua ofronte komanda e kampit, sipas normës së përcaktuar më parë: 2 palë rroba, 1 pagure alumini ose plastmasë, 1 furçë dhëmbësh, 1 fletore, 1 tas, 1 lugë gjelle alumini, 1 dyshek, (nuk thuhej sa) batanije, 1 çarçaf.
Sipas rregullores së brendshme të kampit, të dënuarit duhej t’i bindeshin për gjithçka komandës, duhej të realizonin normën e punës etj. Të dënuarve u lejohej të merrnin nga familjet e tyre, 15 kg. sende (këtu nuk hynin frutat, perimet), të takonin familjarët dy herë në muaj nga 15 minuta, të dërgonin dy letra në muaj te familjarët (gjithmonë brenda vendit), të abonoheshin në organet e shtypit etj.. Telegramet dhe kartolinat, lejoheshin pa kufizim. Po ashtu i dënuari mund t’i shkruante letra Komitetit Qendror të PPSH-së, Presidiumit të Kuvendit Popullor, Këshillit të Ministrave, Gjykatës së Lartë, Ministrisë së unëve të Brendshme, organeve vendore etj.
Më 17 qershor 1968, disa nga të dënuarit e atij kampi, u orvatën të ndërtonin një tunel për t’u arratisur, por nuk mundën dot. Gjatë vitit 1969, ishin orvatur për t’u arratisur edhe 15 të dënuar të tjerë, prej të cilëve 6 ishin kapur ose asgjësuar dhe 9 të tjerë, ishin kapur nga dita e parë, deri në të tetën. Nga studimi i rasteve, dilte se në 61% të tyre, kishin zgjedhur kohën e keqe, me mjegull, shi, borë, pasi kishin studiuar më parë kushtet e rrethimit të kampit dhe vend-rojeve. Arratisjet zakonisht ndërmerreshin gjatë ndërrimit të turneve, apo nga galeritë e minierës, duke bërë ndonjë tunel për të dalë në sipërfaqen e tokës, jashtë territorit të kampit.
Në vitet në vijim, barakat gradualisht i zëvendësuan me pallatet e banimit. Rreth vitit 1971, u ndërtua një prej pallateve për strehimin e të burgosurve. Në vitin 1973, nisi puna për ndërtimin e pallatit të dytë, ngjitur me të parin. Sipas planit të hartuar më parë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe i miratuar nga ministri Kadri Hazbiu, në rast gjendje lufte, reparti zhvendosej në Berat. Kampi i Spaçit, (Reparti 303), e organizonte punën dhe funksiononte, sipas një plani ditor. Pikat më kryesore të këtij plani, sipas orarit ishin:
530 zgjimi.
600 – 630 mëngjesi.
700 – 1500 puna në minierë.
1700 – 1710 apeli.
1710 – 1930 leximi i shtypit dhe i materialeve të PPSH-së.
2000 – 2030 dreka.
2100 – 530 gjumi.
Gjatë vitit 1973, kishte pasur 65 kundërshtime nga të dënuarit, për të dalë në punë. Pas marrjes së masave represive të këtij viti, një vit më vonë, shifra zvogëlohet në 7 të tilla. Plani, deri në nëntor 1973, ishte për të realizuar, 59.600 tonë bakër, në fakt ishin bërë 59.702 tonë. Për piritin, ishin realizuar 32.858 tonë, ose 1.8 mijë, mbi planin.
Plani i vitit 1974, kishte qenë për të realizuar 65.000 tonë bakër. Ishin bërë 76.000. Për piritin ishin realizuar 43.000 tonë, ose 3 mijë mbi planin. Për vitin 1975, në repart punonin rreth 517 persona, ndërsa ishin mbyllur në birucë, 152 të dënuar, “për thyerje disipline”. Në vitin 1975, në repartin e Spaçit, ishin në inventar 356 armë zjarri, kryesisht automatikë.
Në një raport të vitit 1976, komanda e repartit, raportonte: “Në repartin 303 Spaç, qysh prej 4 vjetësh, nuk kanë ndodhur largime të të dënuarve. Dy që tentuan në vitin 1975, u asgjësuan pa dalë nga rrethimi. Në Spaç, vuajnë dënimin armiq të Partisë e të popullit, me rrezikshmëri të theksuar shoqërore. Për sigurimin e tyre në repart e frontet e punës, kuadri dhe gjithë efektivi, ka vështirësi, për vetë kushtet e terrenit ku është dislokuar ky repart”, – thuhej në raportin vjetor të burgjeve.
Në vitin 1976, nga 90.000 tonë, që ishte plani, ishin marrë 96.513 tonë bakër. Po të njëjtin vit, nga 36.000 tonë që kishte qenë plani, ishin nxjerrë 36.057 tonë pirit. Në vitin 1976, në Repartin 303 Spaç, punonin 633 të dënuar, prej të cilëve vetëm 67 ishin ordinerë. Personeli i burgut për ruajtjen e tyre në këtë kohë, përbëhej nga 152 efektivë, ushtarë, oficerë dhe policë.
Arratisjet nga kampi mund të bëheshin vetëm në çaste pune, nëpërmjet galerive të shkurtra. Kështu, më 9.12.1977, të dënuarit Stavro Guxo dhe Manol Qirici, realizuan një arratisje pa asnjë lëndim, duke “ia hedhur në erë” gjithë vigjilencën rojeve të kampit.
E dhëna e datës 26.12.1977 e komandës së kampit, na bën të ditur, se kapaciteti i dy godinave, ishte për 762 të burgosur, ndërsa atë çast, ishin 73 më shumë, duke përbërë një shumë të përgjithshme prej 835 të burgosurish. Në fund të janarit 1977, në kamp ishin 725 të dënuar politikë dhe 28 ordinerë. Në fund të dhjetorit 1977, kjo shumë ishte 877 të dënuar politikë dhe 48 ordinerë.
Në fund të janarit 1978 në repart ishin 877 të dënuar politikë dhe 48 ordinerë. Në fund të nëntorit 1978, në repart ishin 905 të dënuar politikë dhe 37 ordinerë. Në një informacion të datës 14.10.1978, thuhej se të dënuarit Vasil Ziu, Frederik Shestani, Refik Beqo, Ushtar Çobo, Ilir Agaraj, Nikolla Shyti dhe Gaspër Gaspri, nuk kishin pranuar të dilnin në punë, duke pretenduar se ishin të sëmurë. Për këtë veprim, ata ishin dënuar, duke u futur në birucë.
Nëse do shikojmë statistikat e mbajtura nga autoritetet e kampit, do të vërejmë për shembull, se vetëm në janar-korrik 1979, të burgosurit kishin nxjerrë përkatësisht:
– 89.459 tonë bakër.
– 3.275 tonë pirit.
– 2.547 metra linearë punime.
Cilësia e mineralit ishte 0,93.
Të gjitha punimet, ishin kryer me tejkalim plani. Lartësitë që punonin të dënuarit, ishin midis 698-700 metra, mbi nivelin e detit. Kishte dalje jashtë rrethimit të kampit, pothuaj në të gjitha galeritë. Por që të dilje atje, duhej t’i njihje këto. Galeritë e dyshuara për arratisje, u bllokuan. Megjithatë maksimalisht, ato nuk mund të mbylleshin. Sipas një informacioni të datës 24.8.1978, kampi i Spaçit, kishte 3 postblloqe. Kjo shpjegohej me kushtet e sigurimit maksimal të të dënuarve.
Më 11.6.1979, ishte vrarë i dënuari Refik Beqo. Asgjësimi i tij ishte bërë, duke u qëlluar nga 5 vendroje, numrat e të cilave ishin midis shifrave 13-17 (ishin 30 vendroje gjithsej). Komanda, pasi nxirrte anët e mira të goditjes pa mëshirë të “elementit armik”, kritikonte harxhimin e panevojshëm të municionit, nga 5 drejtime!
Në fund të janarit 1979, në kampin e Spaçit ishin 920 të dënuar politikë dhe 31 ordinerë. Nën tokë punonin 530 të dënuar. Në fund të shtatorit , në kamp ishin 919 të dënuar politikë dhe 25 ordinerë. Në Spaç, ushqimi që u jepej të dënuarve, ishte i cilësisë së dobët, krejt jashtë çdo standardi apo norme njerëzore. (Në fund të fundit, kur edhe për repartet ushtarake, konviktet, mensat e vullnetarëve që merrnin pjesë në aksione kombëtare apo lokale, ato të kooperativave bujqësore, restorantet e ushqimit social, apo popullatën, ushqimi linte shumë për të dëshiruar, nuk pritej që në Spaç, të ishte më i mirë).
Por ajo që përbën një nga veprat më çnjerëzore të regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, ishte menyja dhe norma ditore e ushqimit që u jepej të burgosurve, e cila çonte në një atrofizim apo helmim të trupit të njeriut. Jo më kot, ish-i dënuari Pal Gjergj Zefi (me profesion infermier, prej të cilit filloi revolta e Spaçit e 21 majit 1973), i pushkatuar pas asaj ngjarje, thotë në hetuesi se; ushqimi që ai kishte konsumuar, ishte helmim që çonte në dobësim e më pas në vdekje të ngadalshme. Dhe të mendosh që kjo bëhej paralelisht me punën e rëndë që të dënuarit kryenin, me dhunën e përditshme që ushtrohej ndaj tyre, si dhe me izolimet e shumta, është vërtet e dhimbshme.
Në një raport të datës 27 gusht 1979, pranohej nga komanda e kampit të Spaçit, se ishin ankuar për toksikime, 150 të burgosur. Për të dalë të “palagur”, komanda ia vinte fajin “gabimeve” të të burgosurve, si dhe mjekut të dënuar, Jetulla Gashi, (me origjinë nga Kosova dhe i arrestuar në Elbasan, ku punonte si mjek në spitalin civil të atij qyteti), thua se ky duhej të përgjigjej për cilësinë e dobët të ushqimit dhe atë që bënin drejtuesit e kampit! Dhembje barku e të vjella, shoqëronin jetën e përditshme të të burgosurve. Sipas të njëjtit raport, në verën e vitit 1979, kishin paraqitur shqetësime, 150 të burgosur.
Më datën 2.10.1979, komanda e kampit nxirrte si të dhënë, se kishin nevojë për shtrim në spital, 32 të dënuar, një numër relativisht i lartë, po të kemi parasysh se shifra ka qenë e përzgjedhur, me prirje për ta ulur atë. Gjatë vitit 1979, pesë të dënuar, kishin refuzuar ushqimin. Ndërsa i dënuari Filip Rexha, ishte orvatur të vriste veten, duke u hedhur në telat e rrethimit, ku rojet e kampit, në bazë të rregullores, hapnin zjarr, pa paralajmërim.
Në vitin 1980, ishin realizuar mbi planin, 3.483 tonë bakër, 1.400 tonë pirit dhe ishin hapur 128 metra linearë galeri. Puna në minierë konsiderohej e rrezikshme, në raportet e drejtuesve të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe se punohej pa kaska mbrojtëse në kokë. Vetëm në vitin 1980, sipas statistikave dhe proces-verbaleve të mbajtura nga komanda e kampit, ishin aksidentuar 365 të burgosur, prej të cilëve 1 kishte vdekur dhe 12 ishin plagosur rëndë. Në fund të qershorit 1980, në repart ishin 980 të dënuar politikë dhe 20 ordinerë. Vetëm në gjysmën e parë të vitit 1980, kishin kaluar në birucë me “dënime disiplinore”, 118 të dënuar.
Sipas informacionit që jepte mjeku i repartit, më 31.5.1980, në Spaç punonin nën tokë, 531 të burgosur. Mbi tokë punonin 295, ndërsa të tjerët nuk punonin, për shkaqe sëmundshmërie. Kishin nevojë për shtrim në spital, 128 të burgosur. Vetë kampi kishte një infermieri të përbërë me 8 shtretër. Një WC shërbente për 60 të burgosur. Në një dush, (i cili rrallë funksiononte), ku duhej të laheshin 60 të burgosur. Kur dilnin jashtë dhomës ku flinin, një i burgosur, kishte 1 m2 vend, për ajrosje.
Në vitin 1981, mesatarisht ishte krijuar një trupë të burgosurish, prej 1.056 personash (e dhëna e muajit maj, 1.023 politikë dhe 33 ordinerë). Kapaciteti i godinave ishte 504 veta. Pra, ishin grumbulluar më shumë se dyfishi. Për muajt mars-prill 1981, raportoheshin në Spaç, 18 të vdekur. Në qershor shuma shkon në 1.064 të burgosur, ku vetëm 26 prej tyre, ishin për faje ordinere.
Gjatë vitit 1981, ishin nxjerrë 83.623 tonë bakër (ose 3 mijë mbi planin) dhe 35.650 tonë pirit (650 mbi planin). Po ashtu, ishin realizuar 3.184 metra linearë punime minerale, me tejkalim plani. Sipas informacionit të datës 20.9.1981, efektivi i repartit, përveç ushtarëve, përbëhej nga 1 oficer, 7 nënoficerë, 29 policë. Këta në vinin; 42% nga klasa punëtore, 33% nga fshatarësia kooperativiste, 25% nga policia etj. Ushtarët që vinin nga shërbimi i detyrueshëm, ruanin vetëm sistemin e jashtëm të repartit.
Më datën 16.10.1982, ushtarët e kampit, hapën zjarr dhe lanë të vrarë, në përpjekje për t’u arratisur, të dënuarin Hysen Merdani (i dënuar po për arratisje) dhe tri ditë më vonë, Rexhep Goçin (i dënuar për agjitacion e propagandë). Komanda propozonte që ata të merrnin fletë-lavdërimi nga MPB-ja. Në raportin e komandës, të datës 20.4.1982, të dënuarit Visar Zhiti, Muharrem Protoduari, Ibrahim Çuni, Zyber Selimi, Rexhep Gojani, Mysli Çelhyseni dhe Marash Kumbulla, akuzoheshin se; “bënin sabotim” në nxjerrjen e mineralit.
Lidhur me këtë, në raport-informacionin në fjalë, midis të tjerash, thuhet: “Faktet e tanishme flasin për atë që kjo kategori të dënuarish, qëndrojnë në pozitat e veta klasore, të kundërta me materialet e partisë dhe mësimet e shokut Enver, me interesat e shoqërisë socialiste e, të familjes së tyre. Prandaj komanda u ka dhënë masa ndëshkimore, sepse kanë kryer shkelje e faje, për moszbatimin e rregullave të brendshme, mbajtjen e sendeve të ndaluara…”, – thuhej në atë raport.
Një prej të burgosurve që u lirua në Spaç, ishte Hafiz Sabri Koçi. Ai vuajti 20 vjet dhe në Spaç vuajti pjesën më të madhe të kohës së dënimit. Në repartin e Spaçit, ai punonte në sistemin e ujit të pijshëm, duke bërë punën e hidraulikut. Në vitin 1983 nga kampi i Spaçit, rezultojnë 5 raportime, për të burgosurit; Xhevat Alibali, Dhimitër Nani, Sandër Sokoli (ekzekutuar një vit më pas për revoltën e Qafë-Barit), Murat Gjonzeneli dhe Petro Lekushi. Raporti i datës 2.3.1983, kishte në qendër komentet e tyre rreth librit “Titistët”. “Për të dënuarit, Enver Hoxha konsiderohej si nxënës i Titos, ndërsa ato që kishte shkruar, të pabesueshme”.
Në vitin 1985, harta e repartit 303, tregon se të dënuarit politikë dhe ordinerë, janë të ndarë nga njëri-tjetri. Jashtë rrethimit, ndodhen zyrat e minierës. Sapo hyn në kamp, në krah të majtë, ishin të rrethuar veçant të dënuarit ordinerë, në një kompleks prej 8 godinash. Duke ecur në rrugën kryesore të kampit, vërehen 5 godina të tjera, të reparteve ndihmëse. Poshtë tyre, vërehen 11 godina (2 prej të cilave të banimit), të të burgosurve politikë. Në vitin 1985, në repartin e Spaçit ishin 470 të dënuar politikë dhe 850 ordinerë.
Në janar 1987, sipas të dhënave, rezulton se në repartin 303 Spaç, kishte një kapacitet prej 970 shtretërish. Në repart kishte 316 të dënuar politikë (kapacitet ishte 400 shtretër) dhe 521 të dënuar ordinerë (kapaciteti ishte 570 shtretër). Në repartin 303/1, Gurth Spaç, kishte 271 të dënuar për faje ordinere (kapaciteti 300 shtretër). Këta të dënuar për faje ordinerë, ishin të moshës 19-25 vjeç. Në vitin 1987, komanda kishte pasur një plan nxjerrje minerali, prej 13 mijë tonë bakër, ndërsa kjo normë, ishte realizuar 95%.
Në vitin 1990, ulet ndjeshëm numri i të burgosurve. Kanë ndikuar këtu zhvillimet social-politike të këtij viti dhe nisur nga kjo situatë, të burgosurit refuzonin të punonin. Nga kjo gjendje, më 5.6.1990, zëvendëskryeministri dhe ministër i Industrisë Minerare, Besnik Bekteshi, që ishte dhe anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, i shkruan ministrit të Brendshëm, Simon Stefani, mbi dëmet që ishin shkaktuar nga mosplotësimi i planit nga të dënuarit politikë. Për këtë arsye ai kërkon boshatisjen e vendit, ku kishin mbetur rreth 160 të dënuar politikë në Spaç, sepse do të merrnin njerëz me pagesë, nga banorët e zonës.
– Si rezultat, më 13.6.1990, janë larguar në drejtim të repartit 311 Qafë-Bari, 60 të dënuar.
– Më 14.6.1990, janë larguar në drejtim të repartit 313 Tiranë, 30 të dënuar.
– Më 19.6.1990, janë larguar në drejtim të repartit 305 Sarandë, dhe repartit 327 Gjirokastër, 70 të dënuar.
Kampi i Spaçit, funksionoi për të dënuarit politikë, midis datave 20.4.1968, deri më 19.6.1990. Në kushtet e reja të krijuara në vend pas vitit 1990, me një urdhër të përbashkët të ministrave të Punëve të Brendshme, Gramoz Ruçi, të Industrisë dhe Energjetikës, Drini Mezini dhe të Bujqësisë, Ahmet Osja, më 13.4.1991, reparti 303, i kaloi në dispozicion ndërmarrjes përkatëse të nxjerrjes së mineralit. Ai u përdor edhe pak vite, si vend ku vuanin dënimin të burgosurit ordinerë, derisa u mbyll. Prej mbylljes e deri sot, kohë pas kohe, reparti ka kaluar në gjendje shkatërrimi të pandalshëm.
Komandantët e komisarët e repartit 303 kanë qenë të profesioneve: bujq, punëtorë, xhandarë, çobanë, agronomë. Për pjesën më të madhe të viteve, arsimi i tyre ka qenë ai fillor. Në vitet e fundit të regjimit, arsimi i tyre është i mesëm.
Disa nga të burgosurit e Spaçit
Luc Vukaj (-)
Agim Hamiti (-)
Agron Çipllaku (1980-1983)
Agron Xhelili (-)
Ahmet Tufa (1981-1982)
Azem Çoku (-)
Bardhok Gega (1917-1982)
Bashkim Fiku (-)
Bedri Blloshmi (-)
Bedri Çoku (-)
Çaush Çoku (-)
Dervish Sulo (-)
Elez Allçi (-)
Esat Çoku (-)
Fadil Zani (-)
Fatmir Llagami (-)
Fatos Kërluku (1976-1981)
Foto Stefani (-)
Gjetë Kadeli (-)
Gjokë Marku (-)
Gjon Rrethi (-)
Hajri Sejdini (-)
Hasan Giza (-)
Hasan Hibo (-)
Haxhi Mekolli (-)
Hodo Sokoli (-)
Hulusi Pashollari (-)
Hysni Deda (1980-1983)
Imzot Zef Simoni (-)
Jamarbër Marko (1975-1992)
Jorgji Papa (-)
Kasim Hoxha (-)
Kostandin Papaj (-)
Kujtim Kaziu (1980-1990)
Kujtim Xhaja (-)
Manol Qirici (1976-1977)
Manush Çuka (-)
Martin Leka (-)
Mersin Vlashi (-)
Muharrem Xhydollari (-)
Naim Staravecka (-)
Napolon Koleci (-)
Neim Pasha (-)
Nikolin Kurti (-)
Njazi Bylykbashi (-)
Nuredin Skrapari (-)
Paulin Vata (-)
Pavllo Popa (-)
Perlat Zverku (-)
Petrit Shahini (-)
Qani Mydini (1974-1982)
Qani Sadiku (-)
Remzi Selimi (-)
Riza Selmani (-)
Riza Tafa (-)
Roland Toli (1979-1982)
Sabri Cara (-)
Sadri Ahmeti (1971-1973)
Saimir Maloku (-)
Sali Çuni (-)
Sami Blloshmi (-)
Shaqir Metaj (1948-1957)
Shefqet Gjana (-)
Sherif Allamani (-)
Sherif Merdani (-)
Shuaip Brahimi (-)
Sokrat Mane (-)
Sotiraq Simaku (-)
Telat Mehmeti (-)
Thodhoraq Marko (-1971)
Tomi Kondakci (1980-)
Ylber Merdani (-1977)
Ylli Kanina (-)
Zyhdi Morava (-)
Novruz Golka (-)
Gëzim Çela (-)
Vaskë Orgocka (-)
Dashnor Kazazi (-)
Dedë Preçi (-)
Visar Zhiti (-)
Nuri Stepa (-)
Xhavit Lohja (-)
Irfan Morava (-)
Maksim Rakipaj (-)
Shkëlqim Abazi (-)
Luan Maluka (-)
Lek Frroku (-)
Kolë Matusha (-)
Lluk Kaçaj (-)
Petrit Orieti (-)
Gaspër Gaspëri (-)
Nestor Topençarov (-)
Dodë Miri (-)
Luigj Miri (-)
Dedë Miri (-)
Fadil Kokomani (-)
Vangjel Lezho (-)
Imzot Gjergj Simoni (-)
Imzot Frano Illia (-)
Adem Allçi (-)