Nga Basir Çollaku
Beneti, shoku Benet sot, zoti Benet dje, falë ylberizimit politik, paska qenë i pandehur. Komedia verore e godinës së xhamtë, në procedimin penal nr 196, ngjan pak si pallati 176-të, ku “Vanit” të KESH-it, i plasi zemra për një copë magazinë, sot saktësisht duhet të themi për një copë tender shokut drejtor!!
Nga 14 tetori 2024, vihet në skenë në qershor 2025. Shkruar e vënë në interpretim nga Trupa e SPAK dhe BKH, me aktorë dhe faktorë qeveritarë e koorporatave shtetërore. Data e shfaqjes përcaktohet nga Kryeministri.
Kjo nuk ishte hiç e fshehtë. Nuk ishte aspak sekret. E dinte gjysma e Shqipërisë se ish-Kesh-isti, apo AZHBR-isti, kishte dosjen dy metra në SPAK.
Struktura refuzoi kërkesën e Syri Tv , disa muaj për informacion. Si rrallë herë. Duket se Ai bashkiaku, i sotëm në Shkodër, e gjeti një shteg mosveprimi në Prokurori.
Ca krahë miqësie e mbanin paligjshmërisht larg efektit të ligjit. Nuk besoj se ka paguar??
Ai është i pakorruptuar zyrtarisht, ende ngaqë nuk ka një vendim gjykate ta fajësojë. Por pikërisht për këtë është në vallen e hetimit po me një vendim gjykate. Se dyshohet për lëvrimet e ca qindra mijëra eurove këndej dhe andej. Por ende e kanë lënë në shërbim në zyrë dhe në fushatë elektorale, së cilës i priu me gjithë marifetet ndikuese të pushtetit formal dhe informal në maj 2025. Si në ato të 2023 kur u bë pushtetar vendor.
Duket se Struktura e Posaçme sheh rrezikshmëri të ndryshme për vepra penale të njëjta, nisur nga personi dhe partia. Ndonëse ata nuk kanë treguar as metodologjinë e matjes së këtij elementi. Pushtetarët, si Rama, Veliaj e Beqja më herët, Beci e mjaft të tjerë, janë lënë pa masë sigurimi, duke treguar se ka besim për mosprishje provash, apo po rrinë urtë sa të vidhen edhe ca mandate parlamentare.
Marrja i pandehur e Benetit dhe prag-arresti i tij, është lajmëruar korridoreve informative pak ditë pas shënimit të emrit në këtë regjistër penal të hetimit. Por nga lart, Rama ia doli me ndikimin e tij, ta ndalojë prangosjen. Aso kohe kërkoi edhe dorëheqjen e Benetit, për ta dorëzuar si ish, në duart e Prokuroisë, por Beci rezistoi. Punët e përbashkëta, apo dosjet e përbashkëta, shërbyen si pengesë e sajesë për të fituar kohë.
Akuza është pak maja-maja, kur flet për shkelje barazie në tendera. Ndonëse në përgjimet e dosjes del se kanë fluturuar, e janë qethur nën kujdesin e “berberit” të minsitrisë së Belindës, mbi 300 mijë euro për Visin dhe Benetin në një tender kontrolluar prej tyre.
Sipas shkresës së Strukturës së Posaçme, ndër të tjera thuhet se “..nga 23 tetori 2024, është regjistruar në regjistrin e veprave penale emri i të pandehurit Benet Beci, me 14 të po atij muaji e viti, ishte bërë regjistrimi i procedimit penal, … me akuzën e shkeljes së barazisë në tendera…” ku shënohet përlarja e 300 mijë eurove, po sipas brendisë së hetimit, si provë se e ka bitisur edhe korupsionin.
Pas Tiranës me Veliajn, Durrësit me Gjushin, Fierit me Subashin në hetim për inceneratorët, Shkodrën me Becin, modelet e bashkive më të mëdha rilindase të vendit, janë vatra kriminale të vjedhjes së parasë publike, e përdorjes së ashpër elektorale.
Takimet publike të Becit me Arben Krajën, ish-kreun e SPAK nëndrejtues aktual, ngjante si një takim “kolegësh” të Veliajt me prokurorin e Tiranës para se të niste seria e takimeve me kolegët kur u mor i pandehur, për të qenë në qeli më afër tyre. Kreun e urdhërit të Stamatologjisë e arrestuan dje, sepse Prokurorët menduan se ka mundësi të dëmtojë provat e hetimit. Veliajn e lanë me vite. Ministra para arrestimeve i lanë me vite.
Të tjerë të cilët janë në hetime prej vitesh ende rrotullohen nëpër zyra. Kryeministri Rama gjithashtu. Thua këtë praktikë kërkojnë të bëjnë prokurorët specialë me bashkiakun Beci. Ta lënë të mbarojë mandatin dhe pastaj ta thërrasin sërish si “kolegë” sepse ky nuk rrezikon të prishë prova.
Me këtë standard mosveprimi, SPAK u ka rënë në qafë emrave të botës së trafikut të kokainës, Bajrëve, Suel Çelës, Çyrbes, Doçit, Troplinit, Hajrit, e mjaft ortakëve të tjerë të pushtetit..
Të rejat rreth pallatit 196 të Benetit do të lexohen gjatë verës, ku do të mësojmë nëse do të përkulen bashkia(Beneti), qeveria (Rama), apo prokuroria (Dumani). Teatrin e shembëm, por shfaqje kemi përditë…