Beatriçe dhe Kola të “Shkodra Elektronike” treguan emocionet e tyre për skenën e madhe evropiane ku ata përformuan dhe fituan vendin e tetë. Duket se Beatriçe ka qenë më e “pushtuar” nga emocionet se Eurovision, saqë shprehet se dhe i vodhi emocionet e Kolës. “Unë kam pasur shumë emocione. Kaq shumë, që ia kam fshirë emocionet Kolës. Ia kam anuluar krejt emocionet e Kolës. I mora krejt”, tha Beatriçe.
E pyetur nëse kishte dikë që t’i mbante dorën përpara se të dilte në skenë, Beatriçe u përgjigj me modesti se të gjithë njerëzit që ndodheshin aty, i jepnin mbështetje “Shkodrës Elektronike”.
“Ne kalonim shumë njerëz, e të gjithë na mbanin duart, e na jepnin forcë. Kjo gjë ishte shumë fantastike”, tha ajo. Pas publikimit të pamjeve të puthjes së Beatriçe me partnerin e saj, ajo zbulon se ai nuk ndodhej aty thjesht si “shoku i zemrës”, por kishte një rol të madh në këngën “Zjerm”.
“Ai ishte sound engineer jonë”, tha ajo. Edhe pse Beatriçe nuk flet shumë për jetën e saj private, mbrëmja e gjysmëfinales së Eurovision-it në Basel solli një moment të rrallë emocional që s’mund t’i shpëtonte syrit të kamerave, një puthje e ndjerë me partnerin e saj, artistin italian Marcello Batelli, në zemër të arenës ku qëndronte ekipi shqiptar. Pas suksesit në Eurovision dhe jehonës së krijuar për emrin e tyre, Shkodra Elektronike duket se nuk e ka në plan të ndalet.
Grupi njoftoi së fundmi publikimin e një albumi EP (album i shkurtër, që përmban zakonisht 3-6 këngë) me titull “Shndrit!” “Pse do të vazhdojmë me [shndrit]” – shkruajnë ata, duke lënë të kuptohet se ky është vetëm fillimi i një faze të re kreative. Ky projekt vjen si një vazhdimësi e stilit të tyre unik, ku muzika elektronike moderne bashkohet me motive tradicionale shqiptare. Ngjyrat e ndezura, format abstrakte dhe frymëzimi etno-futurist në kopertinën e albumit premtojnë një qasje të guximshme dhe eksperimentale, karakteristike tashmë për identitetin artistik të Shkodrës Elektronike. Duket se pjesë e planeve për të ardhmen e karrierës së tyre, do të jetë edhe artisti Italian, partneri i Beatriçes, që mesa duket tashmë do të jetë pjesë aktive e grupit të famshëm.