Ballina Kronika U ekstradua nga Dubai, GJKKO lë në burg vëllanë e Nuredin Dumanit!...

U ekstradua nga Dubai, GJKKO lë në burg vëllanë e Nuredin Dumanit! Masë sigurie edhe për ‘ushtarin’ e Çopjave

11
0
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Dashnor Dumanin, vëllain e bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani.

Ai dyshohet nga SPAK për përfshirje në masakrën e Bradasheshit, ku mbetën të vrarë tre persona, si dhe në supergrabitjen e ndodhur në pistën e aeroportit të Rinasit.

Ndërkohë, për Armis Stafën, masa e sigurisë është ndryshuar nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi”.

Sipas SPAK, ai dyshohet për pastrim parash përmes shitblerjes së automjeteve, në funksion të organizatës kriminale të vëllezërve Hajdar dhe Franc Çopja.

Dashnor Dumani dhe Artemis Stafa u ekstraduan në Shqipëri më 11 Qershor. Autoritetet kishin shpallur në kërkim ndërkombëtar:

-D. D., 40 vjeç, pasi GjKKO-ja:

  • në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Vjedhja me arme” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit“, kryer në kuadër të organizatës kriminale. Ky shtetas akuzohet se:
  • në vitin 2018, në fshatin Bradashesh, ka patur rolin e ekzekutorit në vrasjen e shtetasve E. A., A. D. dhe E. D.;
  • në vitin 2019, bashkë me shtetasin A. N., ka djegur një nga automjetet e përdorura gjatë vjedhjes me armë, të shumës së parave, në Rinas.
  • Gjithashtu, 40-vjeçari është dënuar nga Gjykata e Durrësit, në vitin 2016, me 4 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit“. Nga ky dënim, atij i kanë mbetur për të vuajtur 1 vit e 4 muaj burgim;

-A. S., 36 vjeç, pasi GjKKO-ja:

  • në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në kuadër të organizatës kriminale. Ky shtetas akuzohet se ka pastruar nëpërmjet shitblerjes së automjeteve, paratë e shtetasve F. G. alias F. Ç. dhe H. B. alias H. Ç., vëllezër, të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale.