Pas “Roland Garros”-it, tashmë bota e tenisit bëhet gati për turneun e tretë grand slam të sezonit, për “Wimbledon”-in, event që do të mbahet nga 30 qershori deri më 13 korrik në Londër.
Tenistët më të mëdhenj në botë do të përballen me njëri-tjetrin në turneun më prestigjioz, kompeticion që këtë edicion vjen me një rritje të konsiderueshme të shpërblimeve për pjesëmarrësit.
Faqja zyrtare e “ATP Tour” njofton se do të jetë një “Wimbeldon” historik, pasi shuma totale e çmimeve do të arrijë shifrën rekord prej 53.5 milionë paund, e barabartë me afërsisht 62.7 milionë euro. Bëhet fjalë për një rritje prej 7% të shumës krahasuar me vitin 2024, duke konsoliduar kështu një rritje të vazhdueshme që vijon prej një dekade.
Fituesit e garave individuale për meshkuj dhe femra do të fitojnë secili nga 3 milionë paund, rreth 300,000 më shumë se në vitin 2024, duke shënuar një rritje prej 11.1%, duke e çuar eventin anglez në krye të turneve grand slam për çmimet individuale.
Carlos Alcaraz dhe Barbora Krejcikova, fitues në edicionin e kaluar, përfituan nga 2.7 milionë paund secili për triumfin në “Wimbledon”.Në ndeshjet e dysheve për meshkuj dhe femra, kampionët do të marrin 680,000 paund për çift, me një +4% në raport me vitin e kaluar. Rritja për dyshet mikse është më modeste, por sërish e rëndësishme, me çiftin fitues që merr 135,000 paund (+3.8%). Ndërsa edhe çmimet për sfidat në karrige me rrota u rritën gjithashtu me 5.6%.