Gjatë vitit 2024 në Shqipëri janë regjistruar 15.970 biznese të reja, sipas të dhënave të INSTAT, një rritje krahasuar me vitin 2023.
Në total, 132.172 ndërmarrje ishin aktive në fund të vitit, ku 86% e tyre operojnë në sektorin e shërbimeve. Më të përfaqësuarat janë “tregtia” dhe “shërbimet e tjera”, me mbi 9.500 biznese të reja vetëm në këto dy fusha.
Tirana mbetet qendra ekonomike, me 63.212 ndërmarrje, e ndjekur nga Durrësi dhe Vlora. Këto tre qarqe përbëjnë 66.4% të bizneseve aktive, ndërsa Kukësi ka numrin më të ulët.
Pjesa më e madhe e bizneseve të reja janë të vogla, me 1–4 të punësuar. Ato përfaqësojnë 85.8% të totalit, por kontribuojnë me vetëm 22.6% të punësimit.
Në rritje është dhe përfshirja e grave në sipërmarrje. 31.4% e ndërmarrjeve janë në pronësi apo menaxhohen nga gra, ndërsa 46.2% e të punësuarve janë gra – kryesisht në sektorin e tregtisë dhe shërbimeve.
Analistët e tregut vlerësojnë se rritja e regjistrimeve të bizneseve tregon një klimë më të favorshme sipërmarrjeje, por theksojnë se sfida mbetet që këto biznese të vogla dhe të drejtuara nga gra të rriten dhe të bëhen më konkurruese, përballë informalitetit dhe pengesave strukturore.