Nga Zekrija Idrizi
Ditë më parë botuesi im, Fatmir Halimi, më dhuroi elektronikisht në email romanin e parë në dorëshkrim të sapodiplomuarës me nota të larta në shkencat e arteve në Universitetin e Prishtinës, Sarandë Halimi nga Besiana (Podujeva), me titull “Bosh”.
Mora për detyrë që pasi ta lexoj t’i hedh një reçensë. Fillova ta lexoj dhe u mrekullova që në fillim nga ky narracion letrar. Një semantikë e pasur gjuhësore, e shpërfaqur me nivel fin artistik dhe me një estetizëm të rrallë. Sakaq rrëfimi më mbërtheu dhe nuk u ndava së lexuari deri në faqen e fundit. Në fakt, më fascinoi skajshëm tema të cilën autorja e kishte vënë në qendër të trajtimit letrar. E, tema qëndrore ishte: dashuria ideale në mes kryepersonazheve dhe dashuria e afshi i prushtë ndaj leximit të librave nga letërsia shqiptare dhe e huaj ndërkombëtare, dhe, paralelisht, madje me theks të veçantë e vënë në fokus të vëmendjes së personazheve: qasja për të krijuar – pra, krijimtaria.
Kaq dendur brenda romanit “gumëzhijnë” vlerat më fundamentale të ARTIT: muzika, kënga, shfaqjet e dramave teatrale, poezia dhe proza.
Sistemi figurativ dhe boshtet strukturore në këtë narracion romanor janë elementë sa funksionalë po aq edhe një shkas për një meditim më të thellë në rrafshin e filozofisë dhe të letërsisë. Këto elemente na ndihmojnë të përthithim mesazhet mjaft sublime të këtij libri romanor.
Madje-madje, në mbarështrimin e këtij narracioni autorja, Saranda, shpërfash një individualizëm të theksuar intelektual e progresist. Individualizëm ky që, jo vetëm në boshtin strukturor por edhe në përmbajtje të romanit, mënyra se si ajo shprehet, se si “kalkulon” me dialogjet e personazheve, afeksioni narrativ letrar merr trajtat më të përkryera arkitektonike dhe estetike, ku frymojnë edhe gjësendet inorganike – peizazhet piktoreske të natyrës, se lëre më ato organike, të njerëzve të gjallë ….
Te ky roman “Bosh”, ndihet se autorja, Saranda, ka vokacion, talent, shije dhe stof letrar. Ajo bën një letërsi të kohës. E ka flakur përkohësisht petkun e saj të artit grafik dhe e ka veshur një tjetër, po aq sublim: letërsinë. Sapo fillon ta lexosh këtë roman sakaq e ndjen verbin e shkrimtarisë së saj, ndjen koreografinë e fjalës, shijon ecejaket e një semantike që lodron midis të thënës dhe të pathënës, të shndritshmes dhe të errtës. Pastaj, ajo di të luaj gjithnjë e më mirë me kureshtjen e lexuesit, e mban nën trysni rrëfimin, krijon ca suspansa që një lexues i kualifikuar vërtet nuk hutohet për asnjë çast, por, në të vërtetë, grishet të udhëtojë tok me trillin e shkrimtares viseve të “pashkelura”, aty ku buisin jetë njerëzish të rëndomtë e të shquar me gjeniumet e tyre profesionale, morale, karakteriale e kombëtare.
Që në hyrje të librit u përballa me një narracion postmodernist, që të mbante në ankth gjatë leximit. Me këtë rast i fitova ndjesitë e njëjta sikur kur kam lexuar herët në jetë, ta zëmë, librat: “Melone vdes” të Samuel Becketit, romanin “I huaji” të Albert Kamys, “Metamorfozën” e Franc Kafkës apo “Të mjerët” të Viktor Hygos. Por dhe jam ngazëllyer shumë njëkohësisht teksa lexoja dialogjet mbresëlënës mes personazheve rreth letërsisë dhe krijimtarisë në poezi e prozë …
Më duhet tani të shpërfaqi mbresën, pandehmën dhe vështrimin tim gjykues që ky roman të ardhmen do jetë edhe në qendër të kritikës letrare jo vetëm shqiptare, por edhe ndërkombëtare, për arsye se narracioni i tij është i mbushur me elementë qenësorë të intertekstualitetit, metafiksionit, metanarrativës, fragmentarizmit dhe postmodernizmit. Për më tepër, madje, është ky një narracion libror sa i përshkuar me plot dashuri e vlera mistiko-metafizike e letrare, po kaq edhe me vlera universale, gjithënjerëzore. E, këto vlera primordiale ia ka dalë me sukses autorja t’i shtjellojë e t’i përçojë me finesë e elegancë letrare e meditative deri te lexuesit potencialë të saj.
Dua të vë theksin edhe te një fakt tjetër po i rëndësishëm: menjëherë në hyrje autorja e paraqet kryepersonazhin në një situatë sa paradoksale po kaq edhe “morbide” në pikëpamje psiko-mentale. Kjo tamam në rolin e një “Mersoi” kamyan, të një “Melone” becketian dhe të një “Gregori” kafkian”. Thënë më saktë, krypersonazhi personifikon “njeriun absurd”, si protagonist në një botë të joidealtë, që, në një imazh sizifian, bart mbi shpatulla gurin e Sizifit mitologjik.
Dhe, në këtë konktekst, sa për konfirmim, lexoj fjalët hyrëse:
“Katër mure”, kjo është gjëja që sapo më ra ndër mend, gjë që edhe po e mendoj tani. Nuk është se po mendoj për një hiç gjë, por ka orë që gjendem mbyllur këtu brenda katër mureve