Ballina Opinion Mirëdita Moikom!

Mirëdita Moikom!

11
0

Nga Fatos Tarifa

Sot bëhen pesë vite që Ai nuk është mes nesh. Por, në këta pesë vite, ashtu si kurdoherë më parë, ai ka qenë mes nesh. Çdo ditë. Në bisedat tona. Në kujtimet tona. Në takimet tona. Në veprimtaritë tona. Në gostitë dhe dollitë tona. Mes nesh është edhe sot, pesë vite pasi është ndarë nga jeta.

I njëjti Moikom, pa qenë nevoja të përmend mbiemrin e tij për të thënë se për cilin nga miqtë e mi i shkruaj këto radhë.

Të rinjve të sotëm, që nuk kanë pasur mundësi ta njohin ose të dëgjojnë për të, ose që ende nuk kanë lexuar ndonjë prej poezive, tregimeve apo studimeve të tij, u them se këto radhë i shkruaj për Moikom Zeqon.

Është e çuditshme—sado rrallë që ndodh—që një njeri, i cili është ndarë nga jeta, ta kujtojmë thuajse çdo ditë, për vite me radhë, e të flasim kaq shumë për të, sikur të ishte gjallë e midis nesh.

Nuk ndodh shpesh e nuk ndodh me këdo, ose për këdo. Ndodh, mesa duket, me dhe për ata njerëz, të cilët i kemi të shtrenjtë dhe i çmojmë veçanërisht, të cilëve ua dimë vlerat e rralla, dhe të cilët jemi mësuar t’i kemi mes nesh, t’i dëgjojmë e të ndajmë me ta historitë e jetëve tona, gëzimet dhe shqetësimet tona, dhimbjet tona fizike e shpirtërore, idetë tona, krijimet tona, miqtë dhe miqësitë tona.

Pikërisht për shkak se njerëz të tillë kanë bërë vend në jetën tonë dhe në mendësinë tonë si një rutinë e përditshme—si kafeja e mëngjezit që pimë, si telefonata e parë që bëjmë, si ora kur nisemi për punë, si shoku me të cilin udhëtojmë lart e poshtë Shqipërisë, si njeri të cilit i kërkojmë një këshillë—humbja e tyre lë një boshllëk të tillë te ne, që koha—e matur me vite e jo me ditë—nuk arrin ta mbushë dot.

Humbja e disa njerëzve është më e rëndë—dhe e pazëvendësueshme—se sa ajo e shumë të tjerëve. Prindërit, vëllezërit e motrat, kur i humbasim, nuk ka të tjerë që mund t’i zëvendësojnë për asnjërin nga ne. E njëjta gjë ndodh me shokët tanë më të ngushtë dhe, për mua, Moikomi ishte një i tillë.

Një shok besnik—në ditë të mira e të vështira.

Një studiues polihistorian dhe autor i shkëlqyer.

Një punëtor i palodhur i kulturës dhe i shkencës.

Një individ me talente të rralla në shumë fusha.

Një intelektual i gjithëditur, e kundërta e “gjithologëve” filistinë të ekraneve të sotëm.

Një bashkëbisedues i ditur dhe i mençur, por edhe modest e tolerant.

Një zë publik i respektuar gjerësisht, edhe nga ata që nuk pajtoheshin me idetë e tij.

Një njeri që e njihte të keqen dhe e vuajti atë, por që në jetën e tij bëri vetëm mirë.

Dhe bëri punë shumë të mia e që do të mbahen mend për artin dhe letërsinë, për kulturën dhe shkencën, për historinë e Shqipërisë, për të sotmen dhe të ardhmen e saj. Si Ministër i Kulturës. Si Ligjvenës. Si Mbrojtës i thesareve të historisë së popullit shqiptar në Muzeun Historik Kombëtar.

Një intelektual publik kurajoz dhe i pakorruptueshëm

Një demokrat i vërtetë në ide dhe në sjelljen politike.

Një humanist i madh—Erazmi shqiptar.

Mirëdita Moikom!

Edhe këto ditë të kujtuam me shokët tanë të përbashkët—Pëllumbin, Artën, Dianën, Etemin, Marenglenin e shumë të tjerë Na mungon shumë, edhe pse të kemi përherë mes nesh!