Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë që tronditi qytezën Tolentinos në Itali, ku shqiptari Nikollaq Hudhra vrau ish-bashkëshorten e tij Gentiana Hudhra.
Mediat italiane kanë publikuar dëshminë e një banoreje të Tolentinos në Itali, e cila ka parë skenën e vrasjes së shqiptares, Gentiana Hudhra nga ish-bashkëshorti.
“Isha në bar kur dëgjova një britmë tmerruese. Dola jashtë dhe pashë një sherr mes një burri dhe një gruaje. Ajo në një moment ra në tokë, e pafuqishme, ndërsa ai vazhdonte ta godiste me këmbë.
Thirra menjëherë 118-in, iu afrova dhe pashë shumë gjak. Ai ishte ulur në një stol, pothuajse i kënaqur, dhe thoshte: ‘Unë e bëra, jam mirë. Po pres’.”
Në vendin e ngjarjes mbrëmë shkoi edhe kryetari i bashkisë së Tolentinos Mauro Sclavi, dhe zv.kryetarja Alessia Pupo.
“Ka shumë dhimbje në Tolentino në vetëm një javë,” tha kryebashkiaku, duke iu referuar ngjarjeve të fundit: vdekjes së vajzës 14-vjeçare Gessica Vulpe, e cila u godit nga një furgon në zonën Pace të shtunën e kaluar.
Po ashtu 60-vjeçari Alberto Forconi humbi jetën në një aksident me traktor. Një femicid është shumë – vazhdoi kryetari – çfarë po bëhemi? Gentiana ishte një njeri i mirë, kujdestare e dashur dhe e respektuar nga të gjithë. Falënderoj autoritetet që menjëherë organizuan mbështetje psikologjike për dy fëmijët e çiftit. I gjithë komuniteti është pranë tyre.”
Gentiana jetonte prej kohësh në Tolentino, kishte blerë shtëpi dhe ishte pjesë e integruar e komunitetit, e dashur nga bashkatdhetarët dhe banorët vendas.
Hetuesit janë duke punuar për të rindërtuar dinamikën e ngjarjes dhe për të kuptuar arsyet që çuan ish-bashkëshortin në kryerjen e vrasjes. Do të hetohet gjithashtu nëse ai vuante nga probleme psikiatrike dhe nëse ishte në trajtim. Ngjarja po trajtohet si vrasje me paramendim dhe me rrethanë rënduese.