Levian Goga, emigranti shqiptar që javën e kaluar i kthye ‘heroi i ngjarjes’ në lumin Arahthos në Greqi duke shpëtuar dy fëmijë të moshave 12 dhe 14 vjeç, ka dhënë një intervistë ku rrëfen motivet dhe gjendjen e tij. Nga ana tjetër Goga tha se nuk e bëri veprimin për të përfituar nënshtetësinë.
Ai tregon për mediat greke se veproi si çdo baba tjetër në situatë emergjence dhe përballë rrezikut nuk mendoi dy herë për të dalë në ndihmë të fëmijëve. Megjithatë, përkundër përpjekjeve të tij, fëmijët humbën jetën dhe familjarët e tyre vendosën të dhurojnë organet.
Pjesë nga deklarata e tij në mediat greke:
E bëra sepse mendova se ishte fëmija im aty brenda. Nuk bëra heroizëm, bëra atë që më diktoi zemra. Do t’i bëj tatuazh fëmijët për t’i pasur gjithmonë në zemrën time. Nuk e bëra për nënshtetësinë. Jam 20 vjet këtu, herë me dokumente, herë pa. Erdha në Greqi 17 vjeç, tani jam 41. Kjo është vendi ku kam kaluar jetën. Nuk kam shkuar askund tjetër, as në Itali. Greqia është si atdheu im i dytë.
Kam pak ujë dhe gjak në mushkëri, por jam mirë. Falënderoj mjekët që u kujdesën për mua dhe për fëmijët. Kam marrë telefonata nga gjithë Greqia. Nga njerëz të thjeshtë, ministra, të gjithë ata që e panë numrin tim më kanë telefonuar.
I lutem shtetit t’i ndihmojë. Kanë vetëm 20 ditë afat me dokumentet dhe rrezikojnë gjobë nëse dalin nga vendi. Do të donin të qëndronin këtu, të vendosin një lule mbi varrin e djalit të tyre. Ndihmojini.
Aty lumi është shumë i thellë, deri në 7 metra. Është shumë i rrezikshëm. Duhet vendosur një tabelë paralajmëruese që të mos përsëritet më kjo tragjedi. Fëmijët janë fëmijë, nuk mund t’i ndalosh gjithmonë. Nuk mund të jesh 24 orë pas tyre.