Ballina Politika Intervista/ Kryebashkiaku Arbana: “Investimet për asfaltimin e rrugëve rurale.”

Intervista/ Kryebashkiaku Arbana: “Investimet për asfaltimin e rrugëve rurale.”

0
13

Përshëndetje, Z.Arbana. Në deklaratat e tua sidomos gjatë mandatit të dytë ju jeni shprehur se prioritet keni investimet në zonat rurale.

1. Ç’mund të na thoni sa i përket përmirësimit të infrastrukturës rrugore në zonat rurale?

Po, është e vërtetë se pas rindërtimit dhe mandatit tim të parë, një nga prioritetet ka qenë dhe mbetet përmirësimi i infrastrukturës rrugore në zonat rurale.
Në këtë drejtim, infrastruktura rrugore është thelbësore, sepse ndikon drejtpërdrejt në lëvizjen e përditshme të banorëve, në lëvizjen e produkteve bujqësore dhe zhvillimin ekonomik të këtyre zonave përmes bizneseve.
Kemi hartuar një plan të detajuar për ndërhyrjet në rrugët që duhen rehabilituar.
Kemi mbështetjen e Kryeministrit Rama, Qeverisë shqiptare dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit për t’i bërë realitet projektet.

2. Çfarë investimesh konkrete janë bërë deri tani në rrugët rurale? Dhe të tjera që janë në proces?

Ka nisur puna për asfaltimin e fshatrave Likesh, Shahinaj, Kënetë. Shumë shpejt do të nisë dhe asfaltimi në Gjepalaj e Poshtme, Eminas, Çizmeli, Shetel dhe Terzie.
Po punohet që brenda muajit tetor të mbarojmë fshatrat Bilalas, Lalje, Vlashaj, Karpen dhe Metalle e re.
Investimet bëhen me mbështetjen e Qeverisë dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Në disa fshatra do të ndërhyhet me financim nga pushteti lokal.

3. A është përfshirë komuniteti në vendimmarrjen për këto investime dhe si adresohen nevojat urgjente të tyre?

Patjeter që për investimet që bëjmë, paraprakisht ne realizojmë dëgjesa publike, sepse zëri më i mirë janë vetë banorët që adresojnë problematikat e tyre dhe shqetësimet kryesore, të cilat ne si pushtet vendor mund të ndërhyjmë për t’i zgjidhur.
Përpara miratimit të buxhetit ne bëjmë dëgjesa publike. Në miratimin e Buxhetit Afatmesëm të vitit 2025-2027 kemi bërë dëgjesë publike online në zoom, ‘live’ me shijakasit e diasporës. Për këtë jemi asistuar nga Programi “Bashki të forta” i mbështetur nga Ambasada Zviceriane, për të patur një buxhet sa më transparent që të ndikojë në mënyrë të drejpërdrejtë te qytetarët. Nje risi për ne dhe mendoj që jemi bashkia e parë në vend që kemi bërë nje gjë të tillë, si formë e një demokracie të drejtpërdrejtë.

4. Cilat janë mundësitë që ofron bashkia për të rinjtë që kërkojnë punë?

Mundësitë janë të shumta. Kemi punësuar të rinj dhe përfitoj nga rasti t’i bëj sërish thirrje të rinjve që të vijnë e të punojnë me ne, sepse ka vend për të gjithë. Institucioni i bashkisë i përket të gjithëve dhe ka nevojë për energji të reja. Aktualisht kemi nevojë për inxhinierë, psikologë, punëtorë në çdo fushë, edhe në ato të artizanatit. Zyra e Punës, që ndodhet pranë bashkisë, ka mbi 300 vende të lira pune që kërkohen në këtë zonë përfshirë edhe bizneset private. Kjo është një mundësi reale për të gjithë ata që janë në kërkim të një pune apo duan të kontribuojnë në komunitet.

5. Si është situata financiare e bashkisë dhe si po ndikojnë këto rezultate në investimet për qytetarët?

Sipas vlerësimit të Ministrisë së Financave, jemi një bashki që nuk kemi detyrime ndaj të tretëve. Gjithashtu, nga viti në vit kemi arritur të sigurojmë qëndrueshmëri ekonomike dhe një rritje të menaxhimit të mbledhjes së taksave.
Kjo është një shenjë e mirë për të hedhur hapa edhe më të mëdha në drejtim të përdorimit të të ardhurave tona për investime në dobi të qytetarëve, duke alternuar investimet, si nga qeveria që na ka mbështetur gjithmonë, ashtu edhe nga të ardhurat tona vetjake.

6. Cili është çelësi i suksesit në punën e bashkisë dhe cilat janë sfidat që ende mbeten përpara?

Çelësi i suksesit tonë është fryma e punës në grup. Ne punojmë si një ekip për të arritur objektivat që i vendosim vetes për çdo punë që duhet të realizojmë dhe mendoj se deri tani ia kemi dalë. Por sigurisht, ka ende shumë për të bërë, për të përmirësuar disa punë ekzistuese, apo për të nisur të tjera, me qëllim që të jemi gjithmonë në shërbim të qytetarëve.

7. Përveç investimeve në infrastrukturën rrugore në Shijak po zhvillohen dhe aktivitete të ndryshme në fushën kulturore. Çfarë aktivitetesh kulturore, apo sportive ka planifikuar bashkia këtë verë?

Aktivitetet kulturore të sezonit veror i kemi nisur me Miss dhe Mister Shijaku që përfshin argëtimin e të rinjve.
Pjesë e kalendarit kulturor-sportiv të bashkisë ishte dhe eventi sportiv i boksit dhe kickbox-it “Titans Shijak Fights 2”

“Albanian Bikers Fest 4”, një festë e madhe e motorristëve nga e gjithë bota është kthyer në traditë për Shijakun, për katër vite radhazi kemi mirëpritur motorristët, që shërben dhe si një shkëmbim kulturor mes vendeve të ndryshme dhe një promovim i qytetit tonë.
Gjatë kësaj vere bashkia ka planifikuar aktivitete që synojnë të sjellin gjallëri dhe frymë pozitive. Me ardhjen e emigrantëve gjatë muajit gusht ne kemi realizuar mbrëmje në shesh me muzikë dhe dj, eksperiencë që mund ta përsërisim dhe këtë vit.

8. A ka nisma për të promovuar traditat vendase dhe produktet lokale përmes aktiviteteve verore?

Është i rëndësishëm promovimi i identitetit kulturor të zonave tona. E kemi bërë këtë duke promovuar bukuritë natyrore të fshatrave të Shijakut dhe agroturizmet e ndryshme.
Panairet vijnë si aktivitete, ku jo vetëm ruhet dhe nxitet trashëgimia kulturore, por edhe ndihmojnë familjet vendase të prezantojnë produktet e tyre.