Deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj mbajti fjalën e tij sot në Parlamentin Evropian në seancën për stabilizim asociimin.
Gjekmarkaj theksoi se Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj integrimit europian, por paralajmëroi se realiteti politik në vend është shqetësues dhe regresiv. Ai e quajti procesin e fundit zgjedhor një “farsë elektorale”, të manipuluar nga mazhoranca përmes përdorimit të burimeve shtetërore, presionit mbi administratën publike dhe përfshirjes së krimit të organizuar.
Ai denoncoi kapjen e institucioneve, veçanërisht të drejtësisë, përndjekjen politike ndaj opozitës (me rastin e Sali Berishës), dhe ndërhyrjet politike ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Gjithashtu, ai kritikoi gjendjen e rëndë të lirisë së medias në vend.
Sipas tij, Shqipëria nuk duhet të avancojë në procesin e integrimit me reforma fasadë, por me reforma reale që respektojnë standardet demokratike dhe sundimin e ligjit. Ai kërkoi nga BE që të mbajë një qëndrim të rreptë e të drejtë ndaj Shqipërisë, duke e matur atë me të njëjtat standarde si çdo vend tjetër kandidat.