Grupi austriak i sigurimeve, Uniqa, njoftoi përmbylljen më sukses të transaksionit për shitjen e kompanisë Sigal në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Aksionet e kompanisë janë shitur tek themeluesi i saj, biznesmeni Avni Ponari.
“UNIQA ka përfunduar me sukses shitjen e kompanive të saj në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Transferimi te bashkëaksioneri dhe themeluesi afatgjatë u bë siç ishte planifikuar, në tremujorin e dytë të vitit 2025 pas marrjes së të gjitha miratimeve zyrtare. Me këtë hap strategjik, kompania është duke u fokusuar vazhdimisht edhe më fuqishëm në tregjet e saj kryesore fitimprurëse në Evropën Qendrore dhe Lindore në përputhje me strategjinë e saj ‘UNIQA 3.0 Groëing Impact’,” njoftoi grupi austriak përmes një deklarate zyrtare.
Sigal u themelua në vitin 1999 nga biznesmenët Shyqyri Duraku, Llazar Angjeli, Avni Ponari dhe Alessandro Shtylla. Prej dy dekadash e gjysmë ajo ka qenë kompania më e madhe e sigurimeve në Shqipëri.
Në vitin 2007, rreth 90 për qind të aksioneve të kompanisë u shitën tek grupi austriak Uniqa për një çmim prej gati 11 milionë eurosh, ndërsa Avni Ponari mbajti 10 për qind të aksioneve.
“Shitja te themeluesi dhe bashkëaksioneri për një kohë të gjatë i SIGAL UNIQA Group Austria siguron një transferim të shpejtë dhe një maksimum vazhdimësie për klientët, punonjësit dhe partnerët,” deklaroi Uniqa kur njoftoi transaksionin për rishitjen e aksioneve tek Ponari dhe largimin e saj nga Shqipëria.
Plaët në transaksion kanë deklaruar se çmimi i blerjes i nënshtrohet konfidencialitetit dhe deri më tani nuk e kanë bërë publik.
Por një burim konfidencial i tha Kapitalit se bëhet fjalë për një transaksion në vlerën 60-70 milionë euro, çka do ta bënte shitjen e Sigalit, një nga transasionet më të mëdha private të regjistruar në Shqipëri.