Nga Eduard Zaloshnja
Me sloganin “Shqipëria 2030”, PS-ja zhvilloi një fushatë që i prodhoi 83 mandate parlamentare (nga vetëm 74 që siguroi para katër vjetësh). Por në terren, fushata socialiste jo kudo mbajti erë 2030-te (nënkupto europiane). Disa kandidatë të saj të panjohur u bënë papritur “yje” elektoralë me përkrahje të paparë, duke i dhënë ndoshta një dorë PS-së për të marrë ndonjë mandat ekstra në ndonjë qark. Pa ndihmën e tyre, ndoshta fitorja e PS-së nuk do të kishte qenë kaq gjigande…
Nga një sondazh rigoroz në terren që drejtova pas zgjedhjeve (që do të publikohet së afërmi), rezultoi që jo pak shqiptarë të thjeshtë kanë opinionin se krimi i organizuar dhe paratë e pista kanë patur ndikim në qarqe të veçanta.
Që Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së më 2030, zgjedhjet e 2029-ës nuk duhen të jenë thjesht më të mira se paraardhëset – ato duhet të jenë të mira!