Napoli po përgatit një verë të zjarrtë në merkato, duke ndezur entuziazmin e tifozëve pas zyrtarizimit të bujshëm të Kevin De Bruyne.
Presidenti Aurelio De Laurentiis nuk ka ndër mend të ndalet, teksa tashmë ka hedhur sytë nga dy emra të tjerë të mëdhenj të Premier League: Darwin Núñez dhe Jadon Sancho.
Sipas asaj që raporton e përditshmja ‘Repubblica’, të dy lojtarët kanë dhënë një miratim paraprak për projektin ambicioz të klubit napolitan.
Tani topi është në fushën e klubeve përkatëse, me tratativat që pritet të hyjnë në fazën vendimtare gjatë javëve në vijim.
Një element kyç në këtë operacion mund të jetë shitja e Victor Osimhen, sulmues nigerian që ka shumë kërkesa nga klubet e mëdha angleze.
Largimi i tij jo vetëm që do të hapte vend në repartin ofensiv, por edhe do të sillte të ardhura të konsiderueshme për të përforcuar më tej skuadrën.
Me ardhjen e De Bruyne, synimet për Darwin dhe Sancho-n dhe me një projekt të drejtuar nga drejtori sportiv, Giovanni Manna, Napoli duket më i vendosur se kurrë për të ndërtuar një skuadër që të rivalizojë për titullin dhe të rikthehet fuqishëm në skenën evropiane.