Ballina Aktualitet Spitali i ri i Kardiokirurgjisë drejt përfundimit, Rama: Mbi 1 mijë ndërhyrje...

Spitali i ri i Kardiokirurgjisë drejt përfundimit, Rama: Mbi 1 mijë ndërhyrje në vit

17
0

Punimet në kantierin e spitalit të Kardiokirurgjisë dhe Kirurgjisë Vaskulare në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë janë drejt përfundimit.

Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se “spitali i ri i Kardiokirurgjisë do të ketë aparatura moderne dhe ekipe të specializuara për zemrën, enët e gjakut dhe reanimacionin”.

Rama theksoi se “në këtë spital do të kryhen mbi 1000 ndërhyrje në vit, do të ketë 112 mjekë profesionistë të përkushtuar, si edhe shërbim të dedikuar për çdo urgjencë 24/7”.

“Në këtë spital do të kryhen ndërhyrjet më të ndërlikuara të kardiokirurgjisë kongjenitale neonatale dhe pediatrike, si të planifikuara ashtu edhe urgjente, duke garantuar kujdes të specializuar dhe gjithëpërfshirës”, u shpreh Kryeministri.

Ditën e djeshme ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu inspektoi nga afër godinën e këtij spitali, e shoqëruar edhe nga drejtuesja e QSUNT-së, Donjeta Bali dhe një grup mjekësh të njohur të kardiokirurgjisë.

Godina ka një sipërfaqe ndërtimi 4000 metra katrorë, me një sipërfaqe të shtuar 500 metra katrorë.

Në katin e parë të godinës do të ketë kryesisht shërbime, të cilat do të ofrohen për studentët dhe për stafet pedagogjike për ngritjen e kapaciteteve të tyre, si dhe logjistika teknike.

Ndërkohë, kati i parë ka të bëjë me shërbimin e kirurgjisë vaskulare. Në katin e tretë ndodhet blloku operator me shtim sipërfaqesh, nga katër salla operatore janë pesë salla të cilat tashmë do të krijojnë kushte më optimale. Në katin e tretë ndodhet po ashtu edhe  shërbimi intensiv, apo siç njihet ndryshe – reanimacioni, për të gjithë situatat që kanë vështirësi në trajtim.