Ballina Politika Bashkimi Europian vendos afate Ramës për miratimin e paketës së mediave, Brettel:...

Bashkimi Europian vendos afate Ramës për miratimin e paketës së mediave, Brettel: Deri në tetor duhet të…

10
0

Përfaqësuesja e Komisionit Europian, Sigrid Brettel në takimin e Komitetit të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri tha sot se deri në tetor duhet të jenë miratuar paketa për median dhe reforma për korrupsionin, drejtësinë dhe barazinë gjinore.

“Para pushimeve të verës, presim miratimin e ligjit për Zyrën e Rikuperimit të Aseteve, dhe më pas në shtator e tetor, me nisjen e legjislaturës së re, presim disa paketa të rëndësishme ligjore,” u shpreh Brettel, ku mësohet se bëhet fjalë për 4 paketa ligjore.

Konkretisht së pari bëhet fjalë për një paketë kundër korrupsionit, së dyti paketa për median, së treti një paketë ligjore për drejtësinë, dhe së katërti një paketë për barazinë gjinore. Paketa për median është një çështje e pazgjidhur në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian. Kjo paketë është pjesë e “Klasterit 1”, grupkapitulli më kritik për negociatat.

Problemi dhe cënimi i lirisë së medias në Shqipëri wshtw evidentuar edhe mw herët nga KE, ku kërkonte rregullimin e disa çështjeve, si nevoja për të adresuar shqetësimin e përqendrimit të lartë të tregut mediatik, për të forcuar pavarësinë editoriale, për të forcuar transparencën e financimit dhe pronësisë së medias, për të futur rregulla mbi ndarjen e reklamave shtetërore dhe burimeve të tjera shtetërore, për të dekriminalizuar shpifjen dhe për të përafruar aspektet civile të saj me standardet evropiane, për të shkurtuar afatet e aksesit në informacion për gazetarët, për të zbatuar një matje transparente dhe të paanshme të audiencës, në përputhje me acquis të BE-së dhe standardet evropiane bazuar në një dialog gjithëpërfshirës me komunitetin e medias.