Ballina Lifestyle Mesazhet e Blake Lively-t me Taylor Swift mund të dorëzohen si prova...

Mesazhet e Blake Lively-t me Taylor Swift mund të dorëzohen si prova në çështjen ligjore me Justin Baldonin

0
8

Mesazhet mes Blake Lively dhe Taylor Swift mund t’i dorëzohen Justin Baldoni-t si pjesë e betejës së tij ligjore në vazhdim me aktoren, ka vendosur një gjyqtar.

Sipas Variety, gjyqtari i Gjykatës Federale të SHBA, Lewis Liman, vendosi të mërkurën se komunikimet mes Lively dhe mikes së saj, Taylor Swift, lidhur me atmosferën në setin e filmit It Ends With Us janë të rëndësishme për rastin në fjalë, shkruan BBC.

Ekipi ligjor i Lively kishte kërkuar që Baldoni të mos lejohej t’i merrte këto mesazhe, duke argumentuar se ato nuk kishin lidhje me çështjen.

Lively e paditi Baldoni-n dhe studion e tij në dhjetor, duke e akuzuar për ngacmim seksual në set dhe për udhëheqjen e një fushate për të “shkatërruar” reputacionin e saj.

Baldoni ngriti një padi kundër saj për shpifje, por kjo padi u rrëzua nga një gjyqtar javën e kaluar.

Në maj, avokatët e Baldoni-t tentuan të siguronin mesazhet drejtpërdrejt nga Taylor Swift, duke i dërguar asaj dhe ekipit të saj ligjor thirrje zyrtare (subpoena).

Megjithatë, ato u tërhoqën pasi avokatët e Swift kundërshtuan duke i cilësuar si një “gjueti e pajustifikuar për prova”.

Pas kësaj, Lively tentoi të ndalonte marrjen e mesazheve edhe nëpërmjet rrugës normale të procesit të zbulimit në gjyq.

Por gjyqtari Liman vendosi të mërkurën:

“Duke qenë se Lively ka pohuar që Swift kishte dijeni për ankesa apo diskutime në lidhje me ambientin e punës në set, ndër të tjera, kërkesa për komunikime me Swift lidhur me filmin dhe këtë çështje është e arsyeshme dhe e përshtatur për të zbuluar informacione që mund të provojnë ose hedhin poshtë pretendimet e Lively për ngacmim dhe hakmarrje”.

Në një deklaratë për Billboard, një zëdhënës i Lively u shpreh se aktorja ka “dorëzuar shumë më tepër dokumente në këtë rast” se sa Baldoni.

Ata shtuan gjithashtu se Baldoni dhe ekipi i tij i marrëdhënieve me publikun kanë tentuar që “të përfshijnë Taylor Swift në këtë histori që nga vera e kaluar”.

“Ne do të vazhdojmë të denoncojmë përpjekjet e pandalshme të Baldoni-t për të shfrytëzuar famën e zonjës Swift, që nga dita e parë ka qenë vetëm një mënyrë për të devijuar vëmendjen nga akuzat serioze për ngacmim seksual dhe hakmarrje, për të cilat ai dhe kompania Wayfarer Studios po përballen,” – thuhet në deklaratë.

Megjithatë, gjyqtari Liman theksoi se pretendimi i Lively se Baldoni po përfshin Swift-in për qëllime publiciteti “nuk është arsye e mjaftueshme për të mohuar palës tjetër të drejtën për të kërkuar prova të rëndësishme për çështjen”.

Një përfaqësues i Baldoni-t nuk pranoi të komentojë vendimin, ndërsa përfaqësuesit e Taylor Swift nuk janë përgjigjur ende ndaj kërkesave për koment.