Sarah Jessica Parker ka rrëfyer se “nuk ishte e përgatitur për komentet publike” mbi pamjen e saj fizike kur seriali “Sex and the City” nisi transmetimin në vitin 1998.
“Ka pasur raste kur kjo ka qenë vërtet e pakëndshme, sepse njerëzit kishin opinione — jo për punën time,” – tha aktorja 60-vjeçare gjatë një episodi të podkastit Call Her Daddy, të udhëhequr nga Alex Cooper.
Ndërsa Parker pranoi se “ndonjëherë” ndjehej e zhgënjyer për shkak të “keqkuptimeve” që publiku kishte për personazhin e saj, Carrie Bradshaw, ajo theksoi se ishin “komentet personale” ato që e prekën më shumë.
“Në atë kohë mendoja se isha një person me vetëbesim”, – tha ajo, duke sqaruar: “por kjo vihet në pikëpyetje dhe testohet”.
E pyetur drejtpërdrejt për disa nga komentet më të vështira që ka dëgjuar, ylli i “Hocus Pocus” u përgjigj: “Mendoj se thjesht ishin diskutimet për trupin dhe pamjen time fizike. Si për shembull, gjëra që nuk mund t’i ndryshoja, nuk do t’i ndryshoja dhe as që më kishte shkuar ndonjëherë në mendje t’i ndryshoja — madje as pasi i dëgjova, gjëra që më lanë pa fjalë, si: ‘Çfarë? Dikush vërtet do të thoshte një gjë të tillë?’”
Për Parker, “zhurmat” dhe komentet për fytyrën dhe trupin e saj “nuk ndiheshin si një bisedë e mirëfilltë”.
“Nuk ndihesha sikur mund të isha në një dhomë ku dikush të më thoshte: ‘Ti je vërtet e shëmtuar’” – shpjegoi ajo. “Dhe pastaj unë të mund të përgjigjesha: ‘Uau. Para së gjithash, është e vështirë ta dëgjosh këtë, por së dyti, pse dukesh i zemëruar për këtë? Pse ndjen nevojën ta thuash, ta komentosh?’”.
Aktorja, nënë e tre fëmijëve dhe e martuar me aktorin Matthew Broderick që nga viti 1997, kujtoi një moment të veçantë kur “një revistë kishte thënë diçka shumë të ligë” për pamjen e saj.
“Ishte si një goditje në pjesët më të ndjeshme,” – pranoi ajo. “Thjesht u ndjeva sikur: ‘Pse është kjo një problem? Pse kjo e meriton kohën tënde dhe pse dukesh sikur ndjen kënaqësi kur e thua?’”.