Ballina Aktualitet SPAK çmonton grupin e vëllezërve Hysa në ARRSH/ Skemë si e Kardhiqit,...

SPAK çmonton grupin e vëllezërve Hysa në ARRSH/ Skemë si e Kardhiqit, si u skualifikua Salillari për t’i dhënë tenderin Agron Hysës dhe Hamz Islamajt

10
0

Klodian Tomorri

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit përfundoi hetimet dhe çoi për gjykim duke marrë si të pandehur 6 zyrtarë të Autoritetit Rrugor Shqiptar me akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.

Arbër Troka, Miranda Shkurti, Nikollaq Mihali, Almir Hoxhaj, Erjon Zemanaj dhe Arbër Pahumi akuzohen se në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kryer një sërë veprimesh të paligshme në tenderin me vlerë 22 milionë euro “Rehabilitim i segmentit rrugor “Mbikalimi pallati me shigjeta – Rrethrrotullimi Shqiponja”, Loti 1”

Tenderi i majmë u zhvillua në 22 korrik të vitit 2019. Në garë u paraqitën 8 oferta, ku dy ofertat më të ulëta ishin ato të bashkimit të kompanive “Alb Building”, “Euroteorema Peqin” sh.p.k. & “Liqeni VII” me 1.72 miliardë lekë si dhe bashkimi i kompanive “Salillari” & “Bajrami N”.

ARRSH i skualifikoi dy ofertat më të ulëta duke shpallur fituese ofertën e tretë që ishte ajo e Bashkimi i operatorëve ekonomikë “Vëllezërit Hysa” & “Be – Is” me vlerë 1.78 miliardë lekë.

Po pas vendimit të ARRSH për të shpallur fituese të tenderit Vëllezërit Hysa dhe Be-Is, kompania Salillari e ankimoi vendimin në Komisionin e Prokurimit Publik. Organi më i lartë i prokurorimeve pasi e shqyrtoi çështjen urdhëroi ARRSH-në, që të anullonte vendimin e skualifikimit të Salillarit dhe ta shpallte kompaninë e zotëruar nga biznesmeni Pëllumb Salillari fituese të tenderit.

Por ky i tenderit të mbikalimit në Sheshin Shqiponja është akti i dytë i një sage korruptive, që pason një tjetër edhe më të madh me të njëjtët aktorë dhe të njëjtën kompani. Atë të rrugës Kardhiq-Delvinë.

Skema e Kardhiqit

Admir Pahumi, Miranda Shkurti, Arbër Troka, Nikollaq Mihali dhe Almir Hoxhaj nuk janë emra të panjohur për drejtësinë. Këta janë grupi i njerëzve që tentuan të realizonin një nga aferat më të mëdha korruptive në tenderat e rrugëve. Bëhet fjalë për tenderin e rrugës Kardhiq-Delvinë, ku protagonistë ishte sërish kompania e vëllezërve Hysa.

Tenderi për lotin e 7-të të rrugës Kardhiq-Delvinë u zhvillua vetëm një muaj para atij të mbikalimit të sheshit Shqiponja, saktësisht në 17 qershor 2019. Fondi limit i tenderit ishte caktuar 2.33 miliardë lekë ose 23.3 milionë euro pa përfshirë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

Në garë garë morën pjesë 6 bashkime shoqërish, ofertat e të cilave varionin nga 15 milionë euro deri në 19 milionë euro. Por çfarë ndodhi?

ARRSH skualifikoi 5 ofertat më të ulëta me pretendimin se nuk plotësonin kriteret teknike dhe shpalli fituese në tender ofertën me çmimin më të lartë, përkatësisht atë të nje konsorciumi të përbërë nga Vëllezërit Hysa, Sulova dhe një kompani italiane. Ky konsorcium kishte ofruar ta ndërtonte tunelin e Kardhiqit për një çmim prej 19 milionë euro pa përfshirë TVSH-në ose plot 4 milionë euro më shumë se sa oferta më e ulët, që ishte ajo e kompanisë Gjoka.

Vendimi i ARRSH u ankimua menjehere në Komisionin e Prokurimit Publik nga Gjoka Konstruksion. Pas një procesi gati dy javor, Komisioni, i cili është edhe organi më i lartë vendimarrës për procedurat e prokurimeve, gjeti se ARRSH kishte vepruar në kundërshtim me ligjin.

Komisioni i Prokurimeve urdhëroi ARRSH-në të shpallte fitues të tenderit kompaninë Gjoka, e cila e ulte faturën e ndërtimit të rrugës për taksapaguesit me 4 milionë euro. Por si asnjeherë më parë, ARRSH refuzoi për një muaj rresht të zbatonte vendimin e Komisionit të Prokurimeve Publike për të ndryshuar fituesin, edhe pse ky ishte detyrim ligjor. Por nuk mbaron me kaq.

Sonila Qato me autoritetin e drejtoreshës së ARRSH ngriti një grup pune, të cilët përpunuan një raport duke konkluduar se kompania Gjoka nuk e meritonte tenderin, pasi kishte paraqitur një dokument me të dhëna të rreme, sipas të cilit kishte kryer 70 për qind të punimeve të njërit prej tuneleve të rrugës së Arbrit..

Kjo ishte zanafilla e një procesi përlasjesh të forta ligjore. Biznesmeni Rrok Gjoka kallëzoi penalisht Sonila Qaton, grupin e ekspertëve të raportit si dhe Komisionin e Tenderit.

Pas hetimeve të thelluara SPAK mori të pandehur ish drejtorëshën e rrugëve Sonila Qato, anëtarët e komisionit të tenderit Pahumi, Shkurti, Troka, Mihali dhe Hoxhaj si dhe grupin e ekspertëve për falsifikim të raportit.

Të gjithë këta u gjetën fajtorë dhe dënuan me vendime të ndryshme në shkallët e gjykatave, ndonëse Sonila Qato ja hodhi paq duke i shpëtuar burgut me dënim të lehtë dhe aktualisht ushtron aktivitet politik për Partinë Socialiste.

Të njëjtit zyrtarë dhe e njëjta kompani. Ky ishte grupi i Vëllezërve Hysa në ARRSH, të cilët tashmë janë çmontuar totalisht nga SPAK.