Ballina Aktualitet Tragjedia e heshtur, deri tani mbi 56 vetëvrasje/ Serjani: Po përballemi me...

Tragjedia e heshtur, deri tani mbi 56 vetëvrasje/ Serjani: Po përballemi me një bilanc lufte njerëzore dhe institucionale

13
0

I ftuar në Syri tv, juristi Sevin Serjani theksoi se vendi ndodhet përballë një “bilanci lufte”, duke iu referuar jo vetëm tkurrjes së popullsisë ndër vite, por edhe rritjes alarmante të rasteve të vetëvrasjeve.

Ai nënvizoi se, ndonëse shifrat mund të jenë të ngjashme me ato të viteve të mëparshme, ajo që e bën këtë vit veçanërisht shqetësues është intensiteti i rasteve në një periudhë shumë të shkurtër, si dhe përfshirja e njerëzve të të gjitha moshave.

Sipas tij, kjo situatë është pasojë e drejtpërdrejtë e presionit psikologjik dhe social që individët përjetojnë, shpesh të pambrojtur përballë një qeverisjeje të papërgjegjshme dhe një sistemi institucional që, në vend të drejtësisë, u ofron qytetarëve vetëm bllokim dhe qorrsokaqe.

Pjesë nga deklarata:

Ne kemi një bilanc lufte, duke iu referuar tkurrjes së popullsisë ndër vite. Aktualisht, ndodhemi në mesin e vitit dhe shifrat janë tashmë tre-shifrore kjo përbën një kambanë alarmi.

Edhe pse edhe vitet e kaluara kanë pasur shifra të ngjashme, këtë vit ka rënë në sy rritja e rasteve të përsëritura në një periudhë shumë të shkurtër, si dhe përfshirja e njerëzve të çdo moshe.

Nuk bëhet fjalë më për një fenomen të lidhur vetëm me moshën kjo është një sëmundje që prek gjithë shoqërinë. Janë pikërisht më të ndjeshmit, që shpesh i konsiderojmë më të dobëtit, ata që përballen me këtë barrë. Në të vërtetë, duhet guxim i madh për të ndërmarrë një akt vetëvrasjeje.

Ata që janë më të ekspozuar ndaj presionit të jashtëzakonshëm nga çdo drejtim, janë ata që përfundojnë në këto vepra tronditëse.

Presioni që vjen nga një qeverisje diletante dhe përballja me institucione që nuk të ofrojnë drejtësi, por përkundrazi të fusin në një qorrsokak, është një realitet që nuk mund të anashkalohet.