Ballina Aktualitet VKM/ Qeveria miraton ndryshimin e pronësisë së stadiumit “Niko Dovana” në Durrës

VKM/ Qeveria miraton ndryshimin e pronësisë së stadiumit “Niko Dovana” në Durrës

6
0

Këshilli i Ministrave ka miratuar sot transferimin e pronave shtetërore te Korporata e Investimeve Shqiptare (KISH), me qëllim realizimin e projektit të investimit “Rijetëzimi i stadiumit Niko Dovana” në Durrës. Vendimi i qeverisë synon zhvillimin e zonës përreth stadiumit dhe krijimin e hapësirave moderne sportive dhe komunitare.

Korporata e Investimeve Shqiptare është autorizuar të veprojë si zhvillues i pronave përkatëse, të hapë procedurë konkurruese për përzgjedhjen e partnerit privat dhe të negociojë kontratat me subjektet e interesuara për realizimin e projektit. KISH do të mund të bashkëpunojë me Bashkinë e Durrësit, Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe institucionet e tjera përkatëse për regjistrimin dhe zhvillimin e pronave, përfshirë edhe mundësinë e prishjes së objekteve ekzistuese në zonën përkatëse.

Në këtë kuadër, qeveria ka shfuqizuar vendimin e mëparshëm që ngarkonte Fondin Shqiptar të Zhvillimit si autoritet kontraktor për këtë projekt.

Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar Bashkia Durrës, Federata Shqiptare e Futbollit, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Korporata e Investimeve Shqiptare.

V E N D I M

PËR TRANSFERIMIN TE KORPORATA E INVESTIMEVE SHQIPTARE TË PRONAVE SHTETËRORE PËR REALIZIMIN E PROJEKTIT TË INVESTIMIT “RIJETËZIMI I STADIUMIT “NIKO DOVANA”, DURRËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.71/2019, “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”, dhe të shkronjës “b”, të pikës 1, të kreut II, të vendimit nr.137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurës për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave.

 V E N D O S I:

Autorizimin e shoqërisë aksionare “Korporata e Investimeve Shqiptare”, sh.a., vetë apo nëpërmjet entitetit të krijuar prej saj, për të vepruar si zhvillues i pronave të përcaktuara në shtojcat nr.1 dhe nr.2, që i bashkëlidhen këtij vendimi, dhe autorizimit të dhënë nga Këshilli Bashkiak Durrës nëpërmjet vendimit nr.125, datë 27.7.2023, në funksion të realizimit të projektit të investimit të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i cili ka si qëllim, ndër të tjera, përmbushjen e interesit publik.
Autorizohen Korporata e Investimeve Shqiptare dhe institucioni i përcaktuar në shtojcën nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi, apo autoritetet e autorizuara prej tyre, që, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të lidhin marrëveshje bashkëpunimi për përcaktimin e standardit, metodologjisë, termave dhe kushteve të bashkëpunimit për përmbushjen e interesit publik, përmbushjen e interesit të Korporatës, si dhe entiteteve në pronësi të të cilit/ave regjistrohet prona e re shtetërore.

Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për hapjen e procedurës konkurruese për përzgjedhjen e partnerit privat, sipas rregullave të përcaktuara në vendimin nr.137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurës për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare”, të ndryshuar, për zhvillimin e pronës nëpërmjet instrumentit të sipërmarrjes.

Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për negociimin me subjekte private, me qëllim lidhjen e kontratës përkatëse për zhvillimin e pronave të transferuara në pronësi apo për të cilat ka autorizim zhvillimi, në funksion të realizimit të projektit të investimit.

Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare, vetë apo nëpërmjet subjekteve të krijuara prej saj, të kryejë veprimet me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, institucionet publike kompetente për planifikimin e zhvillimin e territorit apo me institucione të tjera, në kuadër të realizimit të projektit të investimit, si dhe të sigurojë regjistrimin, në emër të Republikës së Shqipërisë/Bashkisë Durrës/ Korporatës, sipas parashikimeve të marrëveshjes së bashkëpunimit, të pronës së re shtetërore, që do të krijohet në kuadër të projekteve të investimit.

Në funksion të zhvillimit të pronave të përcaktuara në këtë vendim, në përputhje me parashikimet ligjore përkatëse për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për të proceduar me prishjen e objekteve, pjesë e pronave të përcaktuara në shtojcat nr.1 dhe nr.2, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Vendimi nr.485, datë 1.8.2023, i Këshillit të Ministrave, “Për ngarkimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si autoritet kontraktor për realizimin e projektit të zonës multifunksionale përreth kompleksit të stadiumit “Niko Dovana” në Durrës, përfshirë stadiumin”, shfuqizohet.

Ngarkohen Bashkia Durrës, Federata Shqiptare e Futbollit, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Korporata e Investimeve Shqiptare për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.