Ballina Rajoni Zhduket adoleshentja shqiptare në Greqi, dyshohet se e kanë rrëmbyer

Zhduket adoleshentja shqiptare në Greqi, dyshohet se e kanë rrëmbyer

0
14

Një adoleshente me origjinë shqiptare është zhdukur në rrethana të paqarta në Greqi, ndërsa autoritetet vendase e kanë shpallur zyrtarisht të rrëmbyer.

Apelin për ndihmë e ka bërë halla e saj, Enkelejda Veliu, e cila jeton në Fier dhe përmes një postimi në rrjetet sociale kërkon ndihmën e bashkëatdhetarëve në Greqi.

Sipas saj, vajza e zhdukur është Emilia Veliu, mbesa e saj dhe vajza e vëllait. Ajo thekson se prej dy ditësh familja nuk ka asnjë kontakt apo informacion mbi vendndodhjen e saj.

“Kjo është mbesa ime. Vajza e vëllait. Emilia Veliu. Prej dy ditësh nuk kemi asnjë njoftim. Policia e ka shpallur të rrëmbyer,” shkruan Enkelejda Veliu në apelin e saj publik në Facebook.

Ajo i drejtohet të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Greqi, veçanërisht në Athinë, që nëse kanë ndonjë informacion apo e kanë parë vajzën, të kontaktojnë menjëherë familjen apo autoritetet.

“Do t’ju lutesha gjithë miqve që kam në Facebook, që jetojnë në Greqi, në Athinë, nëse keni një informacion ose e keni parë diku. Ju lutem na kontaktoni,” apelon Veliu.

Ende nuk janë dhënë detaje të mëtejshme mbi rrethanat e zhdukjes apo vendin e saktë ku dyshohet se është rrëmbyer vajza, ndërsa familjarët presin zhvillime nga hetimet e policisë greke.