E sapo kthyer nga Strasburgu, në intervistën dhënë për RTSH-në, Jorida Tabaku tha se në Komisionin e Stabilizim Asociimit, gjeti jehonë shqetësimi i përfaqësuesve të opozitës, për standartet e munguara të zgjedhjeve të 11 Majit.
“11 Maji në fakt, për të gjithë ne që kemi jetuar edhe si të zgjedhur edhe në kurriz është një nga zgjedhjet me standartet më të shkelura. Vetë raporti i OSBE-ODHIR nuk i certifikon si të lira dhe të ndershme. Qartësisht influencat kriminale në këto zgjedhje kanë qenë prezentë. Asnjë nga ne nuk është ndjerë mirë kur dhe kryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian që vëzhgoi zgjedhjet këtu, përmendi për influenca kriminale të cilat orientuan votën në mazhorancë, në kandidatë të veçantë, duke u referuar rastit të Elbasanit”., u shpreh z.Tabaku.
Drejtuesja demokrate e Komisionit Parlamentar për Çështjet Europiane, Jorida Tabaku tha se mungesa e standarteve të zgjedhjeve, dëmton procesin integrues së vendit. Sipas Tabakut, zgjedhjet e lira janë kusht për anëtarësim.
“Sigurisht që e penalizojnë sepse janë pjesë e Grupkapitullit të Parë. Ju besoj se e dëgjuat qëndrimin e Komisionit, që zgjedhjet janë një nga elementet që po vëzhgohen, po mbahen në monitorim”, tha z.Tabaku.
Deputetja demokrate, nuk e fsheh skepticizimin për ftesën publike të shumicës drejtuar opozitës për bashkëpunim për një kod të ri zgjedhor.
“Këto ftesat e mazhorancës sa për të larë gojën, në këto 12 vite, ne i kemi kaluar shumë herë…dhe çështja e këtyre zgjedhjeve nuk lidhen vetëm me një reformë, sepse shumë ligje ne i kemi ndryshuar. Sigurisht që opozita do të përdorë çdo mënyrë për të mbrojtur zgjedhjet, qoftë edhe ndryshimet ligjore, por në fund të ditës, shumë prej çështjeve ishin dhe çështje të vullnetin politik“, tha ajo.
“Mungesa e vullnetit për zbatimin e ligjeve, me pasojë cenimin e zgjedhjeve janë tashmë pjesë e raportit paraprak të OSBE-ODHIR-it, që me shumë gjasë”, thotë deputetja demokrate do të jenë edhe në raportin përfundimtar.