Ballina Opinion Rezultatet e Maturës Shtetërore 2025, fiktivitet dhe jo përmirësim

Rezultatet e Maturës Shtetërore 2025, fiktivitet dhe jo përmirësim

9
0

Nga Mirela Karabina

Rezultatet e deritanishme të Maturës Shtetërore në lëndët Gjuhë e Huaj dhe Gjuhë Shqipe hedhin dritë mbi një problem të thellë e të qenësishëm: cilësia e mësimdhënies dhe mënyra e testimit nuk përputhen me realitetin arsimor të nxënësve.

Është tronditëse të shohësh se nota mesatare në gjuhë të huaj (7 është më e lartë se ajo në gjuhën shqipe (6.87) – kur në fakt, gjuha amtare është themel i të menduarit kritik, i të shprehurit, dhe i formimit qytetar.

Si është e mundur që një maturant të dalë më mirë në një gjuhë të huaj, se në gjuhën e vet?
Ky është një tregues alarmi, jo suksesi. Nuk flet për nivel më të lartë në gjuhë të huaj, por rezultate fiktive pasi testi ka qenë i lehtë dhe sipërfaqësor (deklaruar nga vetë maturantët).
Kështu Ministria e Arsimit me këtë lloj testi “kompenson” mungesën e kushteve në laboratorë të gjuhës së huaj, mungesën e mjeteve didaktike dhe metodave të të menduarit kritik dhe i “mbyll” gojën maturantëve për ankesa.

Rezultati në gjuhë të huaj si më i mirë se tri vite më parë është një iluzion– një përmirësim i rremë, që nuk përfaqëson aftësitë reale të nxënësve, përkundrazi dëshmon përputhjen e njohurive të tyre me një test të një niveli nënmesatar.

Nga ana tjetër, gjuha shqipe vazhdon të mësohet në mënyrë riprodhuese, mbështetur mbi memorizim, jo mbi kuptim dhe mendim kritik.

Mësimdhënia në të dyja lëndët është larg standardit, dhe në të dyja rastet dështimi maskohet: në gjuhë të huaj me nota më të larta se vitin e kaluar quhet sukses, ndërsa në gjuhë shqipe përgjegjësia e arritjeve jo të mira i mbetet vetë nxënësit.

Kemi mbetur peng i fiktivitetit në vlerësim të nxënësve, i cili duhet të ndalet sa më parë. Domosdoshmëria për arsim që i jep nxënësit mendim, gjuhë, shprehi dhe kompetenca dhe provime shteti normale dhe me rregulla është emergjencë kombëtare, pasi pa arsim e ardhmja e zhvilluar është në rrezik.