Ballina Aktualitet Shifrat tronditëse, 39 mijë shqiptarë lanë vendin në 19 muaj

Shifrat tronditëse, 39 mijë shqiptarë lanë vendin në 19 muaj

0
11

Gazetari Neritan Sejamini në një analizë të shifrave në emisionin e tij “Thjesht”, në A2 CNN, zbuloi sesi popullsia e Shqipërisë po tkurret me ritme të frikshme.

Numrat tregojnë se në më pak se dy vite që nga koha e nisjes së Censit 2023 vendi ynë humbi 39 mijë banorë, duke shënuar një nga rëniet më të larta të popullsisë në botë.

“Më 1 janar 2025 në Shqipëri banonin rreth 2 milionë e 366 mijë qytetarë. Më shumë se një vit më parë ne tetor 2023 kur u krye regjistrimi i popullsisë Shqipëria kishte 2 milionë e 402 mijë banorë. Që do të thotë se në 14 muaj, nga tetori 2023 deri në janar 2025 popullsia e vendit u zvogëlua me rreth 39 mijë banorë. Thënë ndryshe në 14 muaj popullsia u zvogëlua me rreth 1.6%. Është kjo një nga rëniet vjetore më të larta të popullsisë në botë. Për më tepër kjo rënie vazhdon vazhdën e zvogëlimit të popullsisë së vendit që ka filluar që në vitin 1991”, zbuloi Sejamini në “Thjesht”.

Në periudhën e regjistrimit të parë të popullsisë në vitin 1923 familja shqiptare përbëhej nga mesatarisht, afërisht 5.7 banorë, por ky numër ka rënë drastikisht pas shembjes së regjimit komunist.

Shifrat e paraqitura në “Thjesht” tregojnë se në vitin 2023 familja mesatare shqiptare kishte vetëm 3.2 pjesëtarë dhe rreth 29% e të gjitha familjeve në vend kishin vetëm dy anëtarë, kryesisht një çift pa fëmijë.