Ballina Politika Shkeljet ligjore me votën e Diasporës, PD i kërkon KQZ-së të bëjë...

Shkeljet ligjore me votën e Diasporës, PD i kërkon KQZ-së të bëjë transparente masat e marra ndaj përgjegjësve që administruan procesin zgjedhor

0
15

Partia Demokratike përmes një deklarate të zëdhënëses së Antikorrupsionit në selinë blu, Genta Vangjeli denoncoi disa parregullsi që kanë dalë nga verifikimi i KQZ të zarfeve të ardhura nga Diaspora.

PD thotë se sipas të dhënave zyrtare, një pjesë e konsiderueshme e fletëve të votimit të ardhura përmes operatorit postar DHL nuk përmbajnë nënshkrimet e rregullta të kërkuara nga kuadri ligjor.

“Në vend të nënshkrimit të çdo votuesi nga Diaspora, janë gjetur dhe konstatuar viza, pika, iniciale, simbole të tjera, pa asnjë vlerë identifikuese, ose pafund raste kur mungon plotësisht çdo formë nënshkrimi nga zgjedhësi.

Po ashtu, janë evidentuar fleta të dorëzimeve postare, të mbushura me të njëjtin dorëshkrim, çka ngre dyshime serioze mbi plotësimin e kushteve ligjore të vlefshmërisë së votës nga Diaspora, sepse Kodi Zgjedhor parashikon që marrja e votës me postë ndërkombëtare duhej bërë, (i) individualisht, (ii) në adresën e regjistruar të zgjedhësit në KQZ, si dhe (iii) me nënshkrim pas paraqitjes të një mjeti identifikimi.

“Provat që vetë KQZ ka sjellë, tregojnë një masë shumë të madhe rastesh kur këto tre (3) elementë ligjorë NUK janë përmbushur për votën e Diasporës: Rrjedhimisht, ato vota nuk janë të vlefshme, janë të paligjshme dhe zerojnë procesin e Diasporës.

Burime nga KQZ kanë deklaruar se nuk do të kryhet pagesa ndaj DHL për ato zarfa që nuk përmbajnë nënshkrime të rregullta. Ndërkohë, lindin disa pyetje themelore që kërkojnë sqarim publik:

Pse KQZ nuk ka ndërmarrë më herët verifikimin e nënshkrimeve, pavarësisht kërkesave të përsëritura nga përfaqësues të Partisë Demokratike, përfshirë edhe periudhën gjatë shqyrtimit të ankimimeve në KAS?

Pse nuk është bërë transparente lista e plotë e dorëzimeve për çdo shtet të Diasporës, ashtu siç është kërkuar zyrtarisht që prej datës 15 Maj?

Pse provat e ardhura nga vendet me numër të madh votuesish, si SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Italia, e cila kryeson për nga numri i votuesve (91,210), janë vënë në dispozicion vetëm pasi trupa e KAS kishte rrëzuar shumicën e ankimimeve të PD-së?

Është e papranueshme që KQZ të ‘kujtohet’ për shkeljet kontraktuale të DHL-it vetëm pasi është siguruar se këto probleme nuk do të ndikojnë më në vendimmarrjen e institucioneve të ankimimit.

Ky veprim nuk mund të konsiderohet thjesht dhe vetëm rastësi. Për javë të tëra, si KQZ-ja ashtu edhe DHL kanë refuzuar të bëjnë transparente praktikat e dorëzimit të zarfeve nga Diaspora, duke penguar aksesin e subjekteve zgjedhore në dokumentacionin bazë të procesit.

Sot, kur KQZ deklaron mospagesën ndaj DHL-së për shkelje të kontratës, kërkojmë publikisht që ky institucion të japë përgjigje të qarta për:

Masat e ndërmarra në kohë reale nga administrata e KQZ për të garantuar ligjshmërinë e procesit;

Arsyet e mos-reagimit, pavarësisht paralajmërimeve të shpeshta dhe të dokumentuara nga subjekti ynë politik;

Transparenca dhe integriteti i zgjedhjeve janë themel i demokracisë.

Përgjegjësia për mbrojtjen e tyre bie para së gjithash mbi KQZ, si institucioni që administron këtë proces.

Të kthjellojmë shqiptarët, të qartësojmë shqiptarët, të motivojmë shqiptarët se qeveria teknike dhe zgjedhjet e lira duhet të jenë beteja jonë me të gjithë potencialet.

Pra, përballë kësaj propagande të kontrolluar plotësisht nga qeveria dhe të paguar nga qeveria, ne paraqesim çdo ditë fakte dhe dokumente që dëshmojnë, u provojnë shqiptarëve se çfarë ndodhi me 11 Maj dhe në fushatën elektorale në Shqipëri.

Pra, ky është qëllimi ynë”, thuhet në deklaratën e PD.