Nga Agron Gjekmarkaj
Dita e parë e shkollës u mbush nga cicërimat e deputetëve të rinj! Toni bekoi shkollen e tha një lutje !
Pirdeni kishte vënë dy kordele dhe gëzueshëm fluturonte sa andej-këtej! Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, përparëse të zezë me jakë të bardhë, dhe dy feta me gjalpë e reçel i lëpiu si nepsqar pa rënë zilja!
Petrit Malaj kishte mbathur sandale me çorape të bardha, pantallona të shkurtra dhe çantë me rripa! Gonxhe luante me një top llastiku, për mur si çapkën dhe herë pas herë ndukte ndonjë kafshatë nga Hoxha! Ceno Klosi bënte kaluçin e më pas kollotumba në oborr. U shiste mend te tjerëve unë e kam mirë me rektoren e Akademisë!
Ogi i ra ziles duke kënduar: “Tring zilja, tring zilja, zilja tingëllon!”
U mblodhën çamarrokët një nga një e dorë për dore! Sara dhe neomalësorja dolën para shokëve dhe kënduan dy-tre këngë për Babon dhe netët e bardha që gëzojmë sot! Zyrnasë i binte Ismet Beqiri, dajres Antoneta, fizarmonikës Majko ndonëse jo virtuoz si gjithmonë!
Një keqkuptim rrezikoi të prishte gjithë festën! Nxënësit pyesnin: “Ku është Akademike Bora?” Ajo nuk dukej askund! Dikush tha që është zgjedhur e re si ne, pra rishtare, dhe duhet të vijë si studente për të nxënë! Me gjasë ndonjë nga ata që Bora e kishte munduar shumë kur mblidhte CV e video për platformën e deputetit që duam! Por aty pat një rebelim: nuk mund të vijë Bora si gjithë të tjerët, dhe u vendos që, për t’i ruajtur imazhin, të mos paraqitej!
I pari hyri në sallën e leksionit Akademik Fatmiri! Nuk pipëtinte as miza! U ndenji rëndë kallkan!
Hapi regjistrin, mori mungesat! U çua, ju bëri një kontroll për pastërtinë, nëse kishin prerë thonjtë, larë dhëmbët! Njëri aty u zgërdhi, ja ngjeshi me lapër pas koke e shau: “Piskuriq, lamash!”, dhe e dënoi të rrinte 10 minuta me një këmbë, si në kohë të Dovletit!
Ngrinë të gjorët, nuk po kuptonin më në është shkollë apo hetuesi!
Mes ngashërimit, njëri kërkoi profesor Ulsiun se më të dashur e lozonjar! Po atij i këputi nja dy shqelma në të pasme e: “Sikter, e jashtë do atë malokun e m….kjo qeveri ka dalë nga dyfeku i zones së parë operative”!
Mbaroi ai tmerr! Radha i erdhi Akademik Niko Nikoqirit! Ai kishte pak emocione dhe ishte skuqur disi në mollëza!
Psherëtiu lehtë e filloi të flasë: “Po ça t’ju them unë ju more evlatër, këtu në parti njeriu për njeriun është ujk, solidariteti fasadë, servilizmi mjet, gënjeshtra profesion…” Fëmijët zgurdullonin sytë… Ai e kuptoi, ju tha gjuha, piu pak ujë… “Po bëja shaka”, foli me zë të qashtër… “Ja, më shikoni mua… eh çfarë isha unë para se të njihja Babon, një gdhe isha, një dru, shisja kompjuterë të vjetër, mblidhja plaçka të përdorura, i mbaja vetë mbi kurriz sa qelbesha djerse se helbete nuk laheshim çdo ditë… Tani ndoqa Babon, u bëra i sëres, më bie telefoni, bëj hatëre, herë ministër herë jo, por bereqavers, kur nuk rrjedh pikon! S’kam ç’ju them më shumë, ndiqni shembullin tim, mos bëni kurrë si Ditmari (kushedi sa inat na e ka ne profesorëve tani , i lexohej mendimi), shokë e miq në parti s’ka, shënoni këtë – mirupafshim kolopuçër!”, dhe doli!
Qerratenjtë prisnin me kureshtje kush do të hynte në klasë: Mësues Damiani, mësuese Mamica, profesor Blendi Klosi, Akademik Tao, por befas u shfaq Braçja!
“Po për bëmat e Skënderbeut kush do flasë meqenëse Mamica nuk qenka?”, pyeti një e Durrësit nën zë!?
“Është e zënë”, i psherëtiu shoqja tek veshi, “po bën paqen mes Iranit dhe Izraelit, ka shkuar në ngushticën e Hormuzit! Atje po vë ca skela ai zdapi Genc Gjonçaj, që të mbahet fjalimi i paqes! Kostaqi i ka marrë besën Ajatollahut e Netanyahut mos të lëshojnë bumje gjatë llafit !
Braçja krijoi menjëherë atmosferë: “He mi, doni ca fara?”, u tha, dhe fap nga xhepi nxori ca grushte dhe i shpërndau!
Ai e filloi me një pyetje: “Kush është libri më i rëndësishëm në botë?” Ra një heshtje varri! Nuk pipëtinte asnjëri!
Erjoni, për t’i ndihmuar, filloi të thoshte: “Ku-ku-ku-?”
Nga fundi, njëri tha: “Kurani, mësues!”
Braçja u zhgënjye: “Mirë, mirë”, ia ktheu, “i rëndësishëm është, po ka një më të vlertë!”, e filloi: “Ku-ku-ku-?”
Një i Elbasanit ja priti: “Kurumi, mësues!”
Braçja nuk duroi, po e kapi nga favoritet dhe fët përjashta!
Vazhdoi edhe një herë me shpresa të prera: “Ku-ku-ku?”
“Me leje”, tha Termeja! “Shoku mësues, libri më i rëndësishëm në faqe të dheut është Kurbani, i shkruar në kohë të zymta nga Babo komandanti! E kam lexuar me rekomandim të Tezes”!
“Bravo!”, i tha Eri, “ti do të bësh prokopi!”
Të gjithëve u porositi nxënësve të ndjekin shembullin e Termetit; herën tjetër të mësojnë këto pasazhe përmendësh dhe të shfletojnë faqet e caktuara!
Një deputet fundor qante me zë të mbytur! Eri iu afrua dhe e pyeti: “Ç’ke?”
Ai i tha përvajshëm: “Unë doja mësuese Tilden… mësuese Tilden…!”
“Ajo nuk është sot, xhan, se po përgatit leksionin Si të shtojmë besimin ndaj Babos në ditë të vështira!”! Klotilda në biblioteke duke mbledhur literature!
Mimi di Puccini kur e kishte marrë vesh kishte shprehur habi për rebusin – Babo si ve më deputet por u jep besim të madh të mësojnë ata që u zunë vendin!