Prej disa vitesh, grupet kriminale shqiptare gjetën një bazë të re për t’u fshehur dhe për të dirigjuar nga atje trafikun e kokainës dhe vrasjet me pagesë të rivalëve në vendlindje.
Dubai dhe Abu Dhabi në Emiratet e Bashkuara Arabe deri para pak kohësh dukeshin të pathyeshëm, por realiteti i vitit të fundit tregoi se ky vend nuk mund të jetë më “fole” e krimit shqiptar. Disa emra të rëndësishëm që SPAK i kërkonte prej kohësh për disa hetime tashmë po përballen me drejtësinë, për vepra të rënda penale.
Mbetet e paqartë se si Shqipëria mundi të “thyejë” mitin e Dubait, ndërsa pjesa me e madhe e atyre që dalin para gjykatës për vlerësim të masës së sigurisë e përshkruajnë si “dëshirë të tyre për t’u dorëzuar”.
Por ndryshe interpretohet kjo në Policinë e Shtetit. Burime pranë bluve thonë se ky është rezultat i një pune të gjatë këmbëngulëse të autoriteteve tona, ndihmuar sidomos nga INTEPOL. Pak javë më parë, një takim mes kryepolicit Ilir Proda dhe presidentit Ahmed Naser Al-Raisi në Athinë, pati temë kryesore ekstradimet, sidomos nga Dubai. Të njëjtat burime në polici i thanë Report Tv se ky është vetëm fillimi i “thyerjes” së Dubait, përballja me drejtësinë e shqiptarëve të botës së krimit që vijojnë të jenë atje, do të vijojë.
Por, kush janë të deportuarit shqiptar nga Emiratet e Bashkuara Arabe?
I pari që preku tokën shqiptare, pas një aktiviteti të gjatë në Emirate ishte Bruno Çoba, më 13 mars të vitit të shkuar. Ai është në akuzë nga SPAK për mashtrim përmes bursave që përllogariten deri në 4.7 milionë euro. Çoba u kthye në atdhe me vullnetin e tij të lirë për t’u përballur me drejtësinë shqiptare.
Pesë muaj më vonë, më 14 gusht 2024, u krye një prej operacioneve më të rëndësishëm të deportimit. Plaurent Dervishaj dhe Juljan Meçaj, të shpallur në kërkim për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, erdhën në Tiranë përmes një operacioni të fshehtë. Dervishaj, është në akuzë edhe për vrasje dhe ngjarje të tjera të ndodhura vite më parë.
Vetëm pak ditë më vonë, më 21 gusht 2024, do të deportohej Arjan Malko, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, për trafik droge në bashkëpunim.
Më 2 maj të këtij viti, u soll nga Dubai në Tiranë, Florenc Çapja, në arrati prej rreth 10 vitesh. I dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Nezir dhe Gentian Beqirit në vitin 2012 dhe porositës i disa vrasjeve të tjera. Përveç dënimit ai ishte shpallur së fundmi në kërkim për vepra të tjera penale nga SPAK dhe Prokuroria e Elbasanit.
Emri i tij ishte pak i njohur, por fama që vëllai i tij Nuredin Dumani mori si i penduar i drejtësisë ia shtoi vëmendjen. Dashnor Dumani u deportua më 11 qershor. Emri i tij u lakua nga i penduari tjetër i drejtësisë, Erion Alibej, si një prej anëtarëve të masakrës së Bradasheshit me dhjetor 2018 ku u vranë 3 persona, mes tyre edhe Endrit Alibej. Bashkë me të, Armes Stafa u soll nga Dubai, anëtar i bandës së Çopjave të Elbasanit, i cili për vite me radhë pastroi paratë e tyre të krimit.
Të fundit e deportuar janë Ervis Daka, Maksim Koçi dhe Ado Xhika, më 19 qershor, të akuzuar si anëtarë të organizatave kriminale të Suel Çelës apo Çopjave në Elbasan. Daka akuzohet për tentativë vrasjeje, sigurim i kushteve për vrasje në dy atentate të rënda në dëm të Kei Pikut dhe Arjan Spahiut në vitin 2020.
Daka akuzohet se strehoi Talo Çelën në kërkim. Maksim Koçi dyshohet për vrasjen e dy personave si dhe siguroi kushtet për vrasjen e 2 të tjerëve. I treti, Ado Xhika, 40 vjeç, është nën akuzë për përkrahje të autorit të krimit si pjesë e grupit kriminal për eliminim e Ardian Çapjas, gjatë sulmit me snajper, të cilit mundi t’i mbijetojë. Të tre ndihmuan të fshihej i shumëkërkuari Talo Çela.
Krimi i organizuar shqiptar, njësoj siç ka mundur të hyjë në tregjet më të fuqishme të karteleve të trafikimit të kokainës në botë, nuk është aspak çudi që në vijim të gjejë strehë të re oazi si Dubai i dikurshëm.