Ballina Rajoni Greqia, një ‘gjysmëringjallje’ në vendin e pushtuar nga turistët dhe varfëria

Greqia, një ‘gjysmëringjallje’ në vendin e pushtuar nga turistët dhe varfëria

0
9

Shkëlqim dhe plagë. Në rrugicat e bardha të lagjes Plaka, turma amerikanësh me shapka dynden me etje për të blerë suvenire. Nga 1 korriku hyn në fuqi një taksë prej njëzet eurosh për çdo turist që zbret nga një krçere në Mikonos apo Santorini: turizmi në Greqi tani po lulëzon. Të premten e kaluar, Novak Djokovic darkoi në një restorant të njohur peshku në kryeqytet me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis: tenisti po mendon të shpërngulet në Greqi me familjen e tij.

Ja ku është, Athina, dhjetë vjet më vonë. Ishte nata mes 26 dhe 27 qershorit 2015 kur kryeministri i atëhershëm, Alexis Tsipras shpalli, për një popull që prej vitit 2009 lundronte mes krizës dhe masave shtrënguese, një referendum mbi programin e tretë të shpëtimit, me shkurtime përkatëse në shpenzime dhe sakrifica, të propozuar, ose imponuar, nga Trojka (Komisioni Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar) ndaj Greqisë.

Qendrat e votimit u hapën më 5 korrik, kur “Oxi”, “Jo”, fituan me një shumicë dërrmuese prej 61%. Më 12 korrik, po i njëjti Tsipras që nxehu sheshet me thirrjen: “Ju ftoj të thoni një ‘jo’ të madhe dhe krenare ndaj ultimatumit, të ktheni shpinën ndaj atyre që po ju trembin”, nënshkroi me Trojkën një marrëveshje edhe më të ashpër se ajo që sapo ishte rrëzuar nga referendumi, në këmbim të një financimi prej 86 miliardë eurosh. Alternativa do të kishte qenë dalja nga BE dhe eurozona.

“Ne ishim kanarina në minierë për Evropën, por për fat të keq Evropa nuk mësoi shumë nga kjo.” Në zyrën e saj në katin e katërt të një ndërtese që ka parë kohë më të mira, pas sheshit Syntagma dhe parlamentit, Elena Panaritis, arkitekte dhe ekonomiste energjike, këshilltare e disa qeverive – përfshirë atë të Tsipras – shpreh ndjenjat e shumë grekëve që ende vuajnë pasojat e recetës së dhimbshme të imponuar vendit. Në derën e ashensorit është vendosur një paralajmërim i prerë: lejohet vetëm një person me valixhe ose dy pa valixhe, përndryshe “është shumë e rrezikshme.” “Këtu dikur kishte shumë zyra politikanësh – shpjegon Elena – ndërsa tani janë kthyer në ‘bed and breakfast’ për turistët. Si kudo tjetër.”

Turistët, pikërisht, dhe ky bum ndriçues turistik grek që, megjithatë, zbehet sapo largohesh nga Akropoli: nga sheshi qendror Syntagma, për vetëm një kilometër rrugë, vitrinat e markave të mëdha dhe dyqanet me lëngje bio ia lënë vendin grilave të ulura dhe të pastrehëve të Omonias. “Shifrat janë të shkëlqyera, por njerëzit jo,” përmbledh Georgia Sakkadou, gazetare, teksa rrotullon një cigare në tarracën e qendrës tregtare Publicis dhe hap temën e një “brezi të humbur” që ende paguan koston e së kaluarës, mes pagave të ulëta dhe ëndrrave të jetës së lëna përgjysmë. Edhe ajo është pjesë e atij 50% të grekëve që nuk mund të përballojnë dot pushimet: maksimumi do të qëndrojë te ndonjë i afërm.

Le të shohim megjithatë këto shifra, që e bëjnë botën të flasë për “mrekullinë e Athinës”: në vitin 2025, ekonomia, sipas parashikimeve të Brukselit, pritet të rritet me 2,3%, ashtu siç ndodhi edhe vitin e kaluar, ndërsa për vitin e ardhshëm parashikohet një +2,2%.

Shifra që pjesa tjetër e eurozonës i ëndërron: në vitin 2025, sipas FMN-së, do të ndalet në vetëm 0,9%. Sigurisht, Greqia ka vetëm 11 milionë banorë, pak më shumë se rajoni i Lombardisë në Itali, dhe PBB-ja e saj për vitin e kaluar ishte 237 miliardë euro, rreth një e dhjeta e asaj italiane. Vlera absolute jo shumë të larta, pra. Por ajo që ka arritur është një udhëtim nga ferri financiar dhe kthim, i shoqëruar madje me shlyerje të parakohshme të kredive.

“Jo vetëm që kemi kthyer faqen, por në fakt po shkruajmë një libër të ri .” Pavlos Marinakis, zëvendëskryeministër dhe zëdhënës i qeverisë së qendrës së djathtë të Nea Dimokratia, e drejtuar nga Mitsotakis, e shtyp pedalin retorik, por ka edhe argumente të forta: “Në gjashtë vitet e fundit kemi zbatuar politika që përballojnë dobësi strukturore të kahershme si evazioni fiskal, duke përdorur një përzierje strategjish që ulin taksat, rrisin pjesën e ekonomisë që kthehet në xhepat e çdo qytetari grek, së bashku me rritje të përhershme të të ardhurave. E gjitha me synimin e vetëm që vendi ynë të mos kthehet kurrë më në kohët e tij të errëta,” pra ato të referendumit dhe pasojave tw tij.

Libri mund të jetë i ri, por letra mbi të cilën shkruhet mban gjurmët e së kaluarws, thekson ish-kryeministri Giorgios Papandreou, i cili në vitin 2009 mori detyrën e pakëndshme për të nxjerrë në dritë mashtrimet financiare të Athinës. “Greqia, thotë ai, ka rifituar besimin e tregjeve ndërkombëtare, por problemet kryesore strukturore mbeten të pazgjidhura.”

Dhe as rimëkëmbja nuk është për të gjithë: “Një në katër grekë mbetet në rrezik të varfërisë apo përjashtimit social, edhe pas transferimeve publike, dhe pagat janë vetëm 45% e mesatares së BE-së.” Restorantet e Plakës janë të mbushur me turistë. Por ende nuk dihet se sa nga 500 mijë grekët që u larguan gjatë pesëmbëdhjetë viteve të krizës janë kthyer./La Repubblica