Ballina Kulturë Java e Kulturës Franceze në Korçë

Java e Kulturës Franceze në Korçë

12
0

Korça, qyteti i artit, kulturës dhe historisë së pasur, ka pritur këtë javë një nga ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e kulturës. Për herë të parë, Java e Kulturës Franceze, një nismë me përmasë kombëtare e zhvilluar tradicionalisht në disa qytete të Shqipërisë, i është kushtuar ekskluzivisht Korçës. Një vendim ky që pasqyron jo vetëm respektin për lidhjet e kahershme që ky qytet ka me kulturën franceze, por edhe për vizionin e tij të orientuar nga e ardhmja dhe integrimi europian.

Në ceremoninë zyrtare të hapjes, ambasadorja e Francës në Shqipëri, znj. Catherine Suard, vuri theksin te marrëdhëniet tradicionale dhe të qëndrueshme që lidhin Korçën me Francën, të cilat tani po marrin një dimension të ri përmes bashkëpunimeve konkrete në fusha si kultura, arsimi dhe zhvillimi lokal.

 “Siç e dini ne kemi javën e kulturës franceze që është një ngjarje kombëtare dhe kemi vendosur t’ia dedikojmë Korçës. Marrëdhënia jonë me Korçën është tradicionale dhe e largët, qëllimi është që kjo marrëdhënie të bëhet e tashme dhe t’i shërbejë dhe të ardhme,  ndaj kemi ardhur këtu. Përveç projektit kulturor, në kuadër të bashkëpunimit që kemi midis bashkisë së Chambery dhe asaj të Korçës, do doja të falenderoja z. Sotiraq Filo dhe z. Thierry Repentin, ish-ministër i çështjeve europiane në Francë, i cili ka ardhur posaçërisht për këtë event në Korçë. Franca e mbështet plotësisht integrimin e Shqipërisë në BE, kjo është thënë edhe nga presidenti Macron gjatë vizitave të tij në Shqipëri dhe integrimi europian kalon jo vetëm përmes kulturës, por edhe zhvillimit të territoreve, projekteve të bashkëpunimit territorial, zhvillimit të qëndrueshëm ndaj dua të falenderoj dy kryetarët e bashkive për këto projekte që kanë në këtë fushë”,-tha Suard.

Pjesë e delegacionit francez ishte edhe z. Thierry Repentin, kryetar i Bashkisë së Chambery-t dhe ish-ministër për Çështjet Europiane në qeverinë franceze. Ai mbërriti në Korçë për të thelluar bashkëpunimin mes dy bashkive dhe për të shprehur mbështetjen e vazhdueshme të Francës për rrugën europiane të Shqipërisë.

“Fakti që jam sot këtu si kryetar i bashkisë së Chambery, por dhe si ish-ministër i punëve europiane, është për të konfirmuar dhe njëherë që Shqipëria është në Europë dhe ne do ta shoqërojmë këtë proces të pranisë së anëtarësimit në BE. Ky realitet dhe kjo prespektivë europiane është shoqëruar në nivele të larta politike, ka mbështetjen e qeverisë franceze, pasi presidenti Macron ka ardhur dy herë në Shqipëri, po ashtu kryeministri Rama ka bërë vizita të vazhdueshme në Francë. Mendoj që vend të rëndësishëm në integrimin në BE, luajnë edhe institucionet territoriale, bashkitë, me qëllim që projektet mes vendeve të zhvillohen. Kemi bërë thirrje për bashkëpunim në kuadër të projekteve me vendet që aderojnë në BE dhe kemi zgjedhur të punojmë me bashkinë e Korçës sepse kemi afërsi të mëdha gjeografike, por edhe për prioritetet e zhvillimit territorial në kulturë e në arsim. Pas disa muajsh bashkëpunim jemi aktualisht me një projekt konkret në Korçë, për Javën e Kulturës Franceze, me shfaqje, por edhe projekte digjitale. Kultura që të pasurohet ka nevojë të zhvillohet sidomos në kohët e sotme, një faktor tjetër i rëndësishëm janë teknikat inovative”,-theksoi Repentin.

Java e Kulturës Franceze solli në Korçë një program të pasur aktivitetesh, performanca muzikore dhe teatrale në pazarin e vjetër të qytetit, pjesëmarrje e artistëve nga Chambery në festivalin “Shpirti i Ballkanit”, si dhe ekspozita interaktive digjitale në Galerinë e Arteve Digjitale, një hapësirë moderne që është kthyer në një ndër pikat më tërheqëse të jetës kulturore korçare.

Julien Cuny, artist francez nga studio Pil’z në Chambery ka ndarë emocionet e veçanta që po përjeton në qytetin e bukur të Korçës.

 “Jam këtu për të prezantuar dy projekte shumë të veçanta. Vijmë nga Chambery dhe përfaqësoj studion Pil’z. Këtu kemi bërë videot në mur, kemi përdorur këtë dhomë fantastike, me shumë pajisje moderne që ne nuk i kemi në fakt në Chambery. Për ne është si një ëndërr që po punojmë këtu, veçanërisht në Korçë. Për mua është kënaqësi që jam këtu, e dashuroj ushqimin e Korçës, shumë i mrekullueshëm, edhe pse do të shtoj ca kilogramë. Njerëzit janë shumë miqësorë, më pëlqen që janë të tillë dhe mund të flasësh me këdo lirshëm. Më pëlqeu edhe pazari i vjetër i Korçës. Për mua është një eksperiencë e mrekullueshme”,-tha Cuny.

Kryetari i Bashkisë së Korçës, z. Sotiraq Filo, u shpreh se kjo javë është kulmi i një marrëdhënieje që ka nisur prej kohësh dhe që po jep frytet e veta përmes projekteve konkrete me ndikim afatgjatë.

“Ishte kënaqësi që të mirëprisja në Korçë në kuadër të javës së kulturës franceze dhe dua të falenderoj ambasadoren e Francës, por edhe ministrinë e kulturës për këtë organizim që u krye në qytetin tonë. Kemi patur aktivitete shumë interesante që kanë filluar me pjesëmarrjen e një grupi artistik nga Chambery në festivalin tonë “Shpirti i Ballkanit”, për të vazhduar me performancat e artistëve francezë në pazarin e vjetër të Korçës, por edhe me produksione shumë interesante të shfaqura në Galerinë e Arteve Digjitale. Përtej javës së kulturës franceze, më duhet të them që bashkëpunimi ndër vite mes Francës dhe qytetit të Korçës, është në momentin e tij më të mirë, me disa projekte shumë të rëndësishme për të ardhmen e qytetit, ku kryesori është pa dyshim hapja e liceut francez në Korçë, duke vazhduar me projekte që mbështesin zhvillimin e turizmit dhe projekte të tjera”,-u shpreh Filo.

Java e Kulturës Franceze në Korçë nuk është thjesht një kalendar ngjarjesh artistike, por një dëshmi se si kultura, arsimi dhe teknologjia mund të krijojnë ura të reja mes vendeve dhe komuniteteve. Ajo tregon se bashkëpunimi ndërkombëtar nuk është vetëm diplomaci e lartë, por edhe një marrëdhënie konkrete që ndodh në nivel lokal mes bashkive, institucioneve arsimore, artistëve dhe qytetarëve të zakonshëm. Korça, me shpirtin e saj evropian, dëshmon edhe një herë se është gati për të qenë pjesë aktive e Evropës që po ndërtojmë së bashku.